×
  • Lajme
  • Insajderi

    150 mijë euro ryshfet- Sekseri i Haxhi Durgutit respektohej nga Kurti e Sveçla

    Insajderi
    25 October 2022 - 00:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri Kurti shpërfillte rrezikun nga pandemia dhe e përshëndeste ngrohtësisht Liridon Fandajn, kur vizitonte Suharekën.

    Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshëm shtrëngonte duart ngrohtësisht me Fandajn, si miq të kamotshëm.

    Por, njeriu i respektuar shumë nga Kurti e Sveçla del të jetë person qe vepron në kundërshtim me deklarimet e Kurtit e Sveçlës.

    Ai dyshohet se është i përfshirë në dy skandale të mëdha. Në rastin e subvencioneve për të cilin është arrestuar më herët, por edhe në një rast tjetër të madh.

    Në rastin e ryshfetit që përfshinë njerëz me ndikimin në sistemin prokurial.

    Emri i tij është përmendur në dosjen e sekserëve që blinin ndikimin e kryeprokurorit të Apelit. “Kallxo Përnime” ka publikuar rrëfimin e biznesmenit Sali Dakaj i cili pretendon se i dha 150 mijë euro përmes Liridon Fandajt, që lënda e një borxhi prej 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij, shkruan Gazeta Insajderi.

    Foto nga takimi i Albin Kurtiti me Liridon Fandaj

    Foto nga takimi i Xhelal Sveçlës me Liridon Fandaj

    Biznesmeni Dakaj ka treguar se e kishte një lëndë në Gjykatën e Prishtinës, një përmbarim borxhi, dhe gjatë kohës sa ka pritur të merrej vendimi, tek ai kishte shkuar Liridon Fandaj, i cili i kishte thënë se një shok i tij, Hasan Morina, e ka një lidhje në Prokurori, që është Haxhi Dërguti, kryeprokurori i Apelit. Fandaj i kishte thënë Dakajt se nëse pranon t’i japë 300 mijë euro lënda kthehet në favorin e tij, përndryshe do ta humbte lëndën.

    Unë e kam pas një lëndë ne Gjykatën e Prishtinës, një përmbarim borxhi me kompaninë “ExCom” dhe gjatë kohës sa kam pritë me u kry vendimi, tek unë ka ardhur Liridon Fandaj i cili me ka thanë se një shok i tij, Hasan Morina, e ka një lidhje në prokurori, që është Haxhi Dërguti, kryeprokurori i Apelit dhe nëse ti pranon me i dhanë 300 mijë euro lënda kthehet në favor tëndin, përndryshe ke me hup lëndën. Unë duke e pa që lënda nuk po kryhet u detyrova me i gjetë borxh 150 mijë euro dhe ia kam dhanë Hasan Morinës, i cili më ka thënë se bashkë me Liridon Fandën ia kanë çu në shtëpi Haxhi Dergutit” – theksoi Dakaj për emisionin “Kallxo Përnime”.

    Ish- asamblisti i VV-së në Suharekë ishte arrestuar për mashtrim me subvencione

    Ish-Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës, Liridon Fandaj, në qershor të këtij viti ishte arrestuar nën dyshimin për mashtrim me subvencione.

    Fandaj ishte një nga 11 të arrestuarit nga Policia e Kosovës.

    Operacioni u zhvillua nga Krimet Ekonomike në Pejë, Istog, Deçan, Viti Suharekë dhe Ferizaj.

    Të arrestuarit gjatë këtij aksioni dyshohet së janë përfshirë në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘dhënia e ryshfetit’, ‘mashtrimi me subvencione’ ‘falsifikimi i dokumenteve zyrtare’ dhe ‘pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare’. / Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark