×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    31 janari i amerikanëve për Asociacionin, çfarë pritet të ndodhë? Flet për Insajderin Sonja Biserko

    Insajderi
    25 January 2023 - 13:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Që nga rrjedhja në publik e planit franko-gjerman, çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë u kthye në zënkën kryesore. Tashmë jo në atë se a do të bëhej ose jo, por se a do të përfshihej në kuadër të planit evropian për normalizim, apo do të ishte prelud i saj.

    Xhezair Dashi

    Me tensionet e prodhuara me çështjen e targave, që për reperkusion patën dorëheqjen en masse të zyrtarëve të komunitetit serb nga institucionet në pjesën veriore të vendit, e deri te barrikadimi njëzet ditor i asaj pjese me potencial të fuqishëm përshkallëzimi, ky Asociacion u “nënvizua” si bosht për zgjidhjen e problemit të Veriut. Kjo në rend të parë nga amerikanët, si konkretizim të Marrëveshjes së Brukselit (2013-2015) për dhënie të një forme të autonomisë për komunitetin serb të veriut.

    Ky Asociacion si formë autonomie për serbët e veriut të Kosovës, amerikanët në mënyrë të paekuivok thonë se nuk do të jetë aranzhim i një lloji të entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës. “Në asnjë mënyrë nuk do ta shtynim para një aranzhim të tillë”, garantoi Këshilltari i Lartë i DASh’së, Derek Schollet.

    Ambasada amerikane në Prishtinë, më 31 janar madje ka thirrur edhe takim me përfaqësues politik dhe shoqërinë çivile për të nisur diskutimet për themelimin e këtij Asociacioni.

    Në këtë takim, deri në publikimin e këtij teksti, i vetmi nga kabiniteti qeveritar që ka konfirmuar pjesëmarrjen është ministri nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.

    Megjithatë, përsëri, deri në publikimin e këtij teksti, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nuk i është përgjigjur pyetjes së Insjaderit, se a nënkupton pjesëmarrja e zotit Rashiq pjesëmarrje qeveritare apo a shkon aty si përfaëquses politik i komunitetit serb.

    Në një intervistë dhënë për Insajderin, Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, është e sigurt se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që ky Asociacion të jetë një “Republika Srpska” tjetër.

    Që një Asociacion do ta bënte Kosovën shtet jo-funksional, Biserko thotë se Perëndimi “e di shumë mirë”.

    Në këtë moment, sipas këndvështrimit tim, është shumë e rëndësishme që zgjidhja të bëhet nga pala kosovare. Të konsiderojnë nënshkrimin e këtij propozimi [franko-gjerman] por edhe të jenë të gatshëm për bisedime rreth Asocacionit sepse amerikanët nuk do të heqin dorë nga kjo”, na tha Biserko.

    Pyetur nga Insajderi se a beson që amerikanët do të mund të bëjnë “një mes të artë” ndërmjet pozicionit të Kosovës që Asociacioni të ketë statusin e një OJQ-je dhe pushteteve që Beogradi kërkon nga ky Asociacion, Biserko beson se ShBA do të shtyjë para një lloj marrëveshje për këtë në mënyrë që ta bëjë plotësisht funksional planin franko-gjerman.

    Por, vëren Biserko, Kosova duhet të jetë e vëmendshme karshi lojës së Beogradit.

    Mendoj se për shkak që Beogradi ka thënë hapur se [Asociacioni] nuk do të jetë një OJQ, çfarë Vuçiq tha para dy dite. Ata në të vërtetë mendojnë se Kosova nuk do ta nënshkruajë këtë propozim kështu që krejt faji të rëndojë mbi Kosovën dhe qeverinë në Kosovë”.

    Kjo s’duhet lejuar të ndodhë, sepse është situatë shumë specifike ku amerikanët do t’i japin fund kësaj situate me çdo çmim”.

    Prandaj, Kosova duhet ta vendos veten në një gjendje ku e kupton kontekstin, kontekstin historik, me të gjithë atë çfarë po ngjan në Evropë, në Ukrainë, në Rusi veçanërisht; dhe mëpastaj të shtyjë për opsionin i cili nuk lejon që Beogradi t’ia mbath me një status si të ‘Republika Srpska’-s, kjo është krejt çfarë mund të them tani, sepse kjo nuk është një çështje e jona për ta komentuar por e palëve për të negociuar në javën në vijim”, vazhdoi të shtjellojë ajo.

    Aktivistja serbe artikulon arsyet se pse Beogradi nuk është fare në pozicion për të refuzuar planin franko-gjerman, kjo për shkak të ultimatumeve të marra së fundmi për sanksione dhe tërheqje të investimeve.

    “Duhet të ketë kompromis mes parimeve etnike dhe civile”

    Megjithatë, pyetur nga Insjaderi se si e sheh qëndrimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, rreth pamundësisë së ndërtimit të Asociacionit mbi kritere/parime etnike, Biserko ka një shpjegim ndryshe.

    Kriteret etnike kanë shkuar shumë larg tash, edhe përtej rajonit, e jo vetëm në Ballkan. Një parim mbi të cilin po ndërtohet situata edhe në Indi e në shumë vende tjera. Duhet të ketë njëfarë kompromisi përfundimtar mes qasjes etnike dhe civile, sepse tash është e pamundur të zhdukim qasjet etnike, sepse ka shumë kohë që ajo është këtu, është diçka që shoqëria duhet ta kalojë deri të arrijmë te niveli civil. Duhet të relativizohet”.

    Në këtë kontekst, Biserko thotë se edhe Serbisë mund t’i kërkohet e njëjta gjë për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

    Sigurisht se e njëjta gjë i aplikohet edhe Luginës së Preshevës, pra Kosova mund ta përfshijë Luginën e Preshevës në këto negociata për Asociacionin, sepse është situatë shumë e ngjashme. Duhet të ketë statusin e njëjtë, por kjo është një diçka e cila duhet të diskutohet në këto negociata pasi që të nënshkruhet propozimi”.

    Dhe mendoj se të dyja palët do të vendoset në një situatë ku mund të mos kenë ndonjë zgjidhje tjetër”.

    Për një gjë paralajmëron Biserko, gjë që sipas saj, s’bën fare të ndodhë.

    “Për Kosovën do të ishte tragjike të humbiste mbështetjen e vendit që dukshëm është partneri i saj më i madh gjatë tërë këtyre viteve”.

    “Sot mbizotërojnë argumentet gjeostrategjike”

    Sonja Biserko thotë se që nga situata e krijuar me agresionin rus mbi Ukrainën, sot kanë prioritet argumentet gjeopolitike, e jo vlerat. Kjo është arsyeja kryesore e presionit amerikan, thotë ajo.

    Ajo çfarë Beogradi luan është se synojmë të marrin maksimumin në mënyrë që ta definojnë sipas ideve të tyre. Varet nga Kosova se si do t’i mjeshtrojë këto negociata, dhe të luajë me këto kritere që i mban komuniteti perëndimor. Një gjë që duhet ta keni ndërmend, në këtë moment, argumentet gjeostrategjike kanë prioritet dhe jo vlerat”.

    Këtu duhet të ketë bilanc mes dyjave sepse në këtë moment marrëdhëniet ndërkombëtare udhëhiqen nga argumentet gjeostrategjike për shkak të luftës që po vazhdon në Ukrainë. Dhe kjo është pse amerikanët po bëjnë kaq presion të ashpër, për të mbyllur çështjet ballkanike, çështjen e Kosovës në këtë fazë”.

    “Deklarata e Escobarit ishte brutale”

    Insajderi e ka pyetur Sonja Biserkon se si e ka lexuar deklaratën e zv/ndihmës sekretarit amerikan të shteit, Gabriel Escobar, se Asociacioni do të bëhet “me ose pa” përfshirjen e qeverisë kosovare, ajo e quan “brutale dhe jo fer”.

    Është një deklaratë brutale, do të thoja, dhe në të vërtetë nuk është fer ndaj qeverisë kosovare, sepse, siç e dimë, është e vetmja qeveri në rajon, me një valë të re politikanësh që po sjellin atmosferë të re, vlera të reja, por edhe integritetin e akterëve politikë në Kosovë”, tha ajo.

    Por, në këtë moment, siç edhe thash më parë, argumentet gjeostrategjike do të mbizotërojnë. Këtë duhet pasur ndërmend, gjithashtu edhe qeveria kosovare”, përfundoi ajo./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark