Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj shtetasit të Shqipërisë, R.M., për veprën penale të vjedhjes së rëndë. Ai është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
I pandehuri akuzohet se gjatë periudhës 6–15 korrik 2025, në disa fshatra të Komunës së Gjakovës, ka kryer një sërë veprash penale të natyrës së vjedhjeve, kryesisht në shtëpi të personave që jetojnë jashtë vendit. Fillimisht, ai ka tentuar një vjedhje të mbetur në tentativë në fshatin Orize. Më pas, ka kryer disa veprime të vjedhjes së rëndë duke depërtuar me forcë në nëntë shtëpi të ndryshme me qëllim përvetësimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore në fshatrat Ramoc, Dallashja, Sheremet, Meje dhe Osek Hilë, por pa arritur të marrë asgjë, duke konsumuar kështu veprën penale të vjedhjes së rëndë në vazhdimësi, mbetur në tentativë sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në fund, më 15 korrik 2025, në fshatin Osek Hilë, ai ka arritur të marrë para dhe një orë dore nga një shtëpi tjetër, duke kryer kështu vjedhjen e rëndë.
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar,” thuhet në vendim.