Ismet Asllani, pronari i Kashtanjeva Dekor, është arrestuar sot nga Policia e Kosovës në rastin e njohur si Brezovica.
Gazeta Insajderi mëson se Asllani është një nga tre personat e arrestuar, të cilin e përmendi Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, i cili pronarit të Kashtanjeva Dekor iu referua vetëm si “investitor.
“Në këtë aksion me vendim të Prokurorit është ndaluar edhe një qytetar, respektivisht një investitor i një lagjeje në Brezovicë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ushtrim i ndikimit dhe dhënie e ryshfetit”, tha Jashari në konferencën e orës pesë, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas dojes hetimore të rastit Brezovica, Asllani që merret me prodhimin dhe montimin e produkteve nga druri, dyshohet se ia dha 40 mijë euro ryshfet ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, në këmbim të marrjes së lejes ndërtimore.
Asllani dhe dy të arrestuarit e tjerë kryeinspektori i ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Arben Çitaku, janë ndalur për nga 48 orë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Bedri Halimi, Kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është ndaluar për shkak të dyshimit të bazuar se e ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar. Arben Çitaku, ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor për shkak të dyshimit se ai ka kryer keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit“, ka thënë Jashari, shkruan Gazeta Insajderi.
Ndërkohë, pesë persona të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim nga Policia, sipas zyrtarit policor, Agron Haziri.
“Operacioni ka rezultuar me 4 persona të arrestuar. Një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt. 3 persona të tjerë janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit dhe 5 persona janë në kërkim policor”, tha Haziri, shkruan Gazeta Insajderi.
Policia e Kosovës aksionin e sotëm, të njohur si Brezovica, e ka zhvilluar në tri lokacione: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë./Gazeta Insajderi/
Lexo edhe: