×
  • Lajme
  • Insajderi

    5 mijë ‘telefonata shpëtimi nga vetëvrasja’ që nga themelimi, “Linja e Jetës”gati t’i shpëtojë shuarjes

    Insajderi
    09 August 2022 - 20:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në momentet më delikate shumë njerëz që nga viti 2019 kanë një derë “shpëtimi”, një telefonatë që ndihmon ata që ndihen pa rrugëdalje e pa shpresë, ata që vetëvrasjen e shohin si të vetmen rrugë shpëtimi.

    Megjithatë, tash e tutje as “telefonata e shpëtimit” nuk është 24 orë në dispozicion për ta.

    Qendra telefonike “Linja e Jetës” në të cilën që nga viti 2019 kanë telefonuar afro 5 mijë qytetarë do të jetë në dispozicion me orar të shkurtuar për shkak të fondeve dhe numrit të ulët të vullnetarëve.

    Por, të kontaktuar nga Insajderi, “Linja e Jetës” dha shpresë – ata bënë të ditur se pas thirrjes që bën tashmë një numër i madh i personave kanë shprehur gatishmëri që të punojnë vullnetarisht.

    Pas thirrjes kemi pranuar një numër të mesazhe nga individ të interesuar për punë vullnetare dhe së shpejti do të fillojmë intervistimin e tyre për punë në Linjë“.

    “Që nga thirrja jonë për mbështetje kanë filluar qytetar të ndryshëm që të ofrojnë mbështetje financiare nëpërmjet donacione. Jemi jashtëzakonisht falenderues për secilin donacion, të cilët mundësojnë vazhdimin e punës tonë kundrejt mungesës së financimit afatgjatë”- thanë nga “Linja e Jetës” për Insajderin

    Nga të dhënat që Insajderi mori nga Policia e Kosovës, vitin e kaluar ishin 44 raste të vetëvrasjeve, derisa në vitin 2020 ishin 40 raste të tilla.

    Poashtu, të raportuara për vitin që lam pas ishin 132 tentim vetëvrasje – 31 raste më shumë sesa në vitin 2020.

    Cilat janë arsyet më të shpeshta të vetëvrasjeve, dhe si do të mund t’i ndalonim si shoqëri? Këtyre pyetjeve në një prononcim për Gazetën Insajderi iu është përgjigjur psikiatria, Mimoza Shahini.

    “Arsyet e vetëvrasjes lidhen me faktorë individual si ata që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor, ballafaquar me dhunë ekstreme apo seksuale, ata që kanë histori të abuzimit me substance apo humbje të papritura të cilat e tronditin integritetin psiqik të tij apo saj.

    “Ndërkohë vetëvrasja takohet tek individët që ndihen të vetmuar, të pashpresë si dhe kur ndihen të zhgënjyer. Ndërkohë ka faktorë familjar siç janë: histori vetëvrasje, dhunë në familje si dhe familjet e disorganizuara.

    “Nuk duhet të harrojmë që vetëvrasja shtohet në vendet pas luftës, apo në ato shoqëri që kanë tranzicion vlerash dhe individi ndihet i përhumbur në kontekstin e vlerave që e rrethojnë” – tha Shahini për Gazetën Insajderin.

    Shahini tutje rënditi edhe masat që duhen marrë për parandalimin e vetëvrasjeve.

    Masat që duhen marrë lidhen me të gjithë faktorët një nga një. Institucionet e shëndetit mendor duhet të jenë lehtë të qasshëm dhe njëkohësisht sa më pak stigmatizues. Shërbimet psikologjike duhet të specializohen për intervenime në krizë.

    “Duhet të ofrohen programe parandaluese dhe njëkohësisht intervenime të specializuara. Shkollat janë vendet ku duhet të punohet për parandalim” – përfundoi Shahini.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) pothuajse 800,000 njerëz vetëvriten çdo vit. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark