Agim Aliu e kishte reklamuar projektin 7.2 milionësh për nënkalimin pranë stacionit Policor në Ferizaj. Një nga firmat që e mori këtë është edhe “Linda” sh.p.k që ishte krijuar nga Milaim Berishës – një i dënuar me burg, që siç pati raportuar Insajderi bash me këtë firmë po fitonte edhe sa ishte në vuajtje të dënimit. Tash firma ka kaluar në pronësi të djalit, Hysri Berisha. Komuna e Ferizajt i dha tender 7.2 milionësh konzorciumit ku gjendet kjo firmë. Ende pa përfunduar puna, inspektimi i po kësaj komune ka gjetur se firma kontraktori nuk po i kryen punët sipas kontratës.
Gazeta Insajderi
Në fillim të vitit, më saktë më 8 janar, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, lavdëronte projektin e ndërtimit të nënkalimit për vetura dhe këmbësorë pranë Stacionit Policor në Ferizaj, duke thënë se po bëhet një vepër madhore e transformimit urban.
“Nënkalimi i veturave dhe këmbësorëve pranë Stacionit Policor në Ferizaj, po bëhet, duke marr formën e tij çdo ditë, një vepër madhore e transformimit urban që i jep zgjidhje përfundimtare infrastrukturore kësaj zone, duke e shumëfishuar vlerën e frekuentimin e saj, duke e bërë të sigurt plotësisht qarkullimin rrugor e duke i dhënë Ferizajt një vepër arti në infrastrukturën rrugore”, shkruante ai në Facebook teksa publikonte pamjet me dron.
Por kush e fitoi këtë tender?
Konzorciumi “Euro-Infrastruktura”&”B-Bardhi” & “Linda” & “Berisha Company”, u përzgjodh si fituese e tenderit “Ndërtimi i nënkalimit për vetura dhe këmbësorë afër stacionit policor në Ferizaj”.
Vlera e projektit ishte 7.477.777.77 euro.
Kompanitë “Euro-Infrastruktura” & “Linda” – kanë pronar të njëjtë, Hysri Berishën.
“EL Chapo” kosovar që arriti të përfitojë mbi 1 milion euro nga tenderët publikë (I)
Për kompaninë e dytë në këtë konzorcium, më saktë për “Linda” Shpk që ishte themeluar nga biznesmeni, Milaim Berisha – Insajderi pati publikuar një hulumtim të gjatë.
Hulumtimi fliste për atë se si kompania e biznesmenit të burgosur, Milaim Berishës “Linda” shpk, kishte arritur që të përfitojë dhjetëra tenderë publikë, vlera e të cilëve kalon shumën prej mbi 1 milion e 300 mijë eurove.
Tani kjo firmë ka kaluar në pronësi të djalit të Milamit, Hysri Berishës.
Gazeta Insajderi e ka pyetur Berishën se cili është roli i babait të tij, ish-pronarit të firmës – por i njëjti nuk është përgjigjur.
Çka gjeti inspektimi i Komunës së Ferizajt në këtë projekt milionësh?
Drejtoria për Infrastrukturë në Ferizaj ka konstatuar disa shkelje gjatë inspektimit të punimeve në projektin e ndërtimit të nënkalimit për vetura dhe këmbësorë afër stacionit policor.
Shkeljet janë bërë publike me 3 dhjetor të këtij viti.
Gjatë inspektimeve më 20.11.2024 dhe 03.12.2024, u identifikuan mangësi dhe probleme, fillimisht për kualitetin e punimeve.
Betonimi i shtyllave, vendosja e gypave të kanalizimit atmosferik dhe ujëmbledhësve, si dhe lidhja e ujëmbledhësve me pusetat e kanalizimit atmosferik nuk u realizuan sipas kualitetit të duhur.
“Gjatë inspektimit të punimeve kemi vërejtur disa pozicione të cilat janë ekzekutuar por që nuk janë sipas kualitetit të duhur si: betonimi i shtyllave, vendosja e gypit të kanalizimit atmosferik, vendosja e gypave të ujëmbledhësve, lidhja e ujëmbledhësve me pusetat e kanalizimit atmosferik”, thuhet në vërejtjen e tyre ndaj kompanive fituese.
Tutje përmendet edhe mungesa e përmirësimeve dhe dëmtimi i infrastrukturës.
Pasi kërkesa për përmirësime nuk u plotësua, u vërejtën dëme si shembje e dheut, lëvizja e pusetave të kanalizimit dhe demolimi i gypave të kanalizimit për shkak të rrëshqitjes së dheut.
“Nga shiqimi në vendngjarje kemi konstatuar se përveç se nuk janë bërë përmirësimet të cilat i kemi kërkuar në vizitën e fundit, tani në teren ka edhe rrëshqitje të dheut për shkak të të reshurave atmosferike”.
Pas kësaj ndaj koncerziumit fitues ka pasur vërejtje me shkrim.
Pasi kompanitë punë-kryese nuk e morën seriozisht vërejtjen verbale, Drejtoria për Infrastrukture ka përgatitur një vërejtje të parë me shkrim, duke kërkuar që të gjitha punimet të kryhen me kualitet të lartë dhe sipas projektit, dhe të dorëzohen atestet për materialet e përdorura.
“Ne menaxherët e projektit jemi të detyruar që të paraqesim vërejtjen e parë me shkrim për kompanitë punëkryese. Kërkojmë nga kompanitë punëkryese që të respektojnë projektin, të ekzekutojnë pozicionet në formën e duhur dhe me profesionalizëm”, thuhet në vijim në vërejtjen e tyre.
Si rrjedhojë, Drejtoria ka kërkuar masa të menjëhershme për përmirësimin e kualitetit të punimeve dhe dorëzimin e atesteve të materialeve brenda një afati të caktuar.
“Kërkojmë nga zyra e prokurimit të kontaktoj përfaqësuesin ligjor të konzorciumit “Euro- Infrastruktura”shpk & “B-Bardhi”shpk & “Linda”shpk & “Berisha Company”sha,, t’ia prezantoj vërejtjen e parë me shkrim dhe ta njoftoj për pasojat që do të ketë në të ardhmen për mosrespektim të kontratës dhe vërejtjeve me shkrim”.
Gazeta Insajderi ka kërkuar nga Hysri Berisha edhe një koment mbi këto vërejtje të Drejtorisë së Infrastrukturës në Ferizaj, por sërish nuk ka dhënë përgjigje.
Historiku i firmës “Linda”
Insajderi dhe organizata jo-qeveritare Democracy Plus kishin zbuluar se si kompania e biznesmenit të burgosur, Milaim Berishës, kishte arritur që të përfitojë dhjetëra tenderë publikë, vlera e të cilëve kalon shumën prej mbi 1 milion e 300 mijë eurove.
Rrëfimi për biznesmenin Milaim Berisha ka disa ngjashmëri me jetën e një prej narko-trafikantëve më të njohur botëror, meksikanin Joaquín Guzmán, i njohur me nofkën “El Chapo”.
Ndryshojnë periudhat kohore dhe natyra e biznesit, por të dy patën fatin të shënojnë suksese në biznes gjatë kohës që gjendeshin në burg.
“El Chapo”, në vitin 1993, ndërkohë që gjendej në burgun federal të Puente Grande në Meksikë, menaxhonte dhe korrte suksese në biznesin e tij të narkotrafikut. Njëzet e tre vjet më vonë, në vitin 2016, biznesi i Milaim Berishës në Kosovë gjithashtu arriti të korrte suksese të mëdha, ndërkohë që ai gjendej në burg.
Berisha, që ndodhej në paraburgim që nga viti 2013 dhe priste vendimin e trupit gjykues për rigjykimin e tij për vrasje të rëndë në tentativë, po ashtu pati një periudhë të suksesshme biznesi gjatë vitit 2016.
Insajderi kishte zbuluar se gjatë atij viti, kompania e Berishës po konkurronte në tenderët e Komunës së Shtërpcës.
Komuna e Shtërpcës kishte shpërblyer me dhjetë tenderë kompaninë e biznesmenit të burgosur. Një javë para se trupi gjykues të vendoste për fatin e Berishës, më 17 qershor 2016, kompania Linda Sh.P.K ishte shpallur fituese e një tenderi prej mbi 9 mijë e 500 eurosh. Pasi Berisha ishte dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burg, biznesi i tij kishte vazhduar të përjetonte suksese.
Katër ditë pas dënimit, më 21 qershor, kompania e Berishës ishte shpallur fituese e një tenderi tjetër në vlerë prej 9 mijë e 600 eurosh. Dy ditë më pas, më 22 qershor, kompania e Berishës fitonte një tender tjetër në vlerë mbi 28 mijë euro.
Më pas, më 24 qershor, kompania e tij fitoi një tender për rindërtimin e shkollave në Komunën e Shtërpcës, vlera e të cilit ishte mbi 140 mijë euro.
Vlera totale e tenderëve të përfituar nga autoritetet komunale të Shtërpcës arrinte shifrën prej mbi 1 milionë e 33 mijë eurosh. Në të gjitha njoftimet për dhënien e kontratave, si person kontaktues ishte përmendur emri i Milaim Berishës.
Vendosja e emrit të një të burgosi si person kontaktues për implementimin e një kontrate publike dhe shpallja fituese e kompanisë së tij bie ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) kishte pohuar se veprimi i autoriteteve komunale të Ferizajt përbënte shkelje ligjore. Sipas KRPP-së, neni 65 i ligjit për prokurimin publik obligon autoritetet komunale që të diskualifikojnë nga gara kompanitë të cilat kanë drejtues të dënuar për kryerje të veprave penale.
Insajderi kishte kërkuar një shpjegim ligjor nga Komuna e Shtërpcës lidhur me tenderët e fituar nga kompania Linda Sh.P.K, por zyrtarët e komunës dhe të kompanisë nuk kishin kthyer përgjigje.
Gjatë vitit 2016, kompania e Milaim Berishës kishte përfituar gjithsej dhjetë tenderë nga Shtërpca.
Tenderët përfshinin ndihmën për asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e ujësjellësve dhe rindërtimin e shkollave, me vlera që shkonin nga disa mijëra euro deri në qindra mijëra euro. Disa nga tenderët më të mëdhenj ishin për rikonstruimin e shkollave dhe sanimin e infrastrukturës në territorin e Komunës së Shtërpcës, me vlera që arritën deri në 683 mijë euro.
/GazetaInsajderi