Pakoja Emergjente Fiskale e ndarë nga Qeveria e Kosovës, del të jetë e keqpërdorur masivisht nga bizneset përfituese.
Këto pretendime janë bërë nga Kryetari i Sindikatës së Pavarur të punëtorëve, Jusuf Azemi.
Azemi ka deklaruar për Gazetën Insajderi se janë rreth 70 përqind e bizneseve që i kanë keqpërdorur mjetet e ndara nga Ministria e Financave duke mos e ndërprerë punën gjatë periudhës së përcaktuar dhe në të njejtën kohë, kanë aplikuar për përfitim të mjeteve financiare.
“Ne disa herë kemi deklaruar në opinion e para institucioneve përkatëse, gjegjësisht Ministrisë së Financave, për keqpërdorimin e mjeteve. Rreth 70 përqind e bizneseve janë përfitues joligjor të këtyre mjeteve. Përpos që nuk e kanë pasur të ndërprerë procesin e punës, këto kompani që kanë punuar gjatë tërë kësaj periudhe, kanë bërë kërkesë nga Ministria e Financave që edhe të ketë një stimulim për punëtorët që kanë punuar”, ka deklaruar Azemi për Insajderin.
Tutje, ai ka potencuar se një veprim akoma më i dëmshëm është që mjetet e përcaktuara nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht nga Ministria e Financave, nuk janë transferuar në llogaritë e punëtorëve nga bizneset në fjalë.
Sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, për të gjitha kompanitë që kanë bërë shkelje, janë të njoftuara institucionet përgjegjëse ndërsa nuk ka pranuar të tregojë ndonjë me emër me arsyetimin se këto do i shpalosin vetëm përballë prokurorisë.
Azemi ka propozuar që për këto keqpërdorime të mëdha financiare, të merret një vendim që të gjitha kompanitë që kanë bërë shkelje, para se të merret drejtësia me to, t’ia kthejnë Qeverisë së Kosovës të hollat e marra në mënyrë joligjore ose t’i deponojnë në xhepin e punëtorëve që kanë mbetur pa to.
“Së paku duhet ta presim vendimin e prokurorisë dhe pas tij, do të ulemi dhe do t’i vlerësojmë veprimet e mëtuttjeshme. Ne u kemi thënë institucioneve përgjegjëse që kjo është rruga jonë dhe ne nuk do të ndalemi, shpresojmë se prokuroria do e kryejë punën e vet por nëse nuk e kryen, atëherë sigurisht se Sindikata do të jetë prijëse e protestave dhe grevave”, ka përfunduar për Insajderin Azemi./Insajderi.org/