Insajderi
Lajme

87 kontrata publike me vlerë mbi 54 milionë euro për “Santefarm” gjatë qeverisjes Kurti-Dikur kishte bashkëpronar nga Beogradi

Insajderi
12 October 2026 - 15:18
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
87 kontrata publike me vlerë mbi 54 milionë euro për “Santefarm” gjatë qeverisjes Kurti-Dikur kishte bashkëpronar nga Beogradi
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kompania farmaceutike “Santefarm”, e cila aktualisht është në pronësi të Milaim Abdullahut, ndërsa në të kaluarën kishte si aksionar edhe Miomir Nikolliqin nga Beogradi, rezulton të ketë përfituar kontrata publike në vlerë prej rreth 49 milionë eurosh nga institucionet shëndetësore të Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga portali Front Online, në favor të kësaj kompanie është rekomanduar edhe një aktivitet i ri i prokurimit, në vlerë prej mbi 5.1 milionë eurosh. Megjithatë, ende nuk është nënshkruar.

Hulumtimi i Front Online tregon se, nga viti 2021, kur në krye të Qeverisë ishte kryeministri Albin Kurti, e deri në vitin 2026, kompania “Santefarm” ka lidhur gjithsej 87 kontrata publike, kryesisht me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Sipas të dhënave zyrtare, nëse përfshihet edhe kontrata e fundit, për të cilën kompania është rekomanduar për përfitim, vlera e përgjithshme e kontratave arrin në mbi 54 milionë euro.

Në aktivitetin më të fundit të prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë, kompania “Santefarm” është shpallur fituese në Lotin 6, Lotin 7 dhe Lotin 8, të cilët kanë të bëjnë me furnizimin me barin Emicizumab, në doza të ndryshme.

Vlera e përgjithshme e këtyre tri loteve arrin në 5,141,955.10 euro. Sipas të dhënave të prokurimit, aktiviteti ndodhet në fazën pas njoftimit për dhënie të kontratës, ndërsa kontrata ende nuk figuron e nënshkruar.

Lista e kontratave tregon se “Santefarm” ka siguruar përgjatë viteve kontrata me vlera që variojnë nga disa mijëra euro deri në mbi 5 milionë euro për një aktivitet të vetëm. Ndër kontratat me vlerat më të larta figuron ajo për “Furnizim me Risdiplam 0.75 mg/ml, bari për sëmundje të rënda dhe të rralla nga LBE”, me vlerë prej 5,385,415.48 eurosh, e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë në mars të vitit 2026.Një tjetër kontratë e madhe është ajo për furnizim me produkte për sëmundje të rënda dhe të rralla për SHSKUK, me vlerë prej 3,204,171.78 eurosh.

Në maj të vitit 2025, kompania figuron edhe me kontrata prej 3,097,680 eurosh, 712,029.60 eurosh dhe 448,171.20 eurosh, për furnizim me barna për sëmundje të rënda dhe të rralla. Në gusht të vitit 2025, Ministria e Shëndetësisë kishte nënshkruar me kompaninë edhe një kontratë tjetër në vlerë prej 2,846,700 eurosh, për furnizim me barna për sëmundje të rënda, të rralla dhe programe specifike.

Kompania “Santefarm” është themeluar në vitin 2006. Sipas të dhënave publike të regjistrimit të biznesit, të cituara në materialet e siguruara, në periudhën e themelimit kompania ishte në bashkëpronësi të Milaim Abdullahut dhe shtetasit serb Miomir Nikolliq.

Nikolliq figuroi si bashkëpronar i kompanisë që nga themelimi i saj. Më vonë, aksionet e tij iu bartën kompanisë “Sante Pharm Medical LLC”, të regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 2012, këto aksione iu bartën sërish Milaim Abdullahut. Sipas të dhënave të cituara, pas këtij ndryshimi, Abdullahu u bë pronar i plotë i kompanisë kosovare “Santefarm”. Kështu, struktura aktuale e pronësisë ndryshon nga ajo e periudhës kur Miomir Nikolliq ishte bashkëpronar.

“Santefarm” figuron si partnere e grupit me seli në Beograd

Pavarësisht ndryshimeve në strukturën e pronësisë, lidhjet afariste me një grup farmaceutik me seli në Beograd vazhdojnë të pasqyrohen në materiale publike. Bëhet fjalë për grupin “ERGO WBS”, në strukturën e publikuar të të cilit kompania kosovare “Santefarm” figuron si “partner”.

Në të njëjtën strukturë paraqitet edhe kompania “Farmalogist DOO”, me seli në Beograd. Sipas të dhënave të përmendura në materialet publike, kjo kompani është në pronësi të Miomir Nikolliqit dhe Lovorka Nikolliqit.

Miomir Nikolliq është i njëjti person që, sipas të dhënave të cituara, kishte qenë bashkëpronar i kompanisë “Santefarm” në Kosovë në periudhën e mëhershme.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark