Çka u premtoi Kurti pensionistëve në fushatë? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Çka u premtoi Kurti pensionistëve në fushatë?

    Insajderi
    22 April 2021 - 13:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kur ishte puna për marrjen e votave, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kurrë nuk i linte anash pensionistët e Kosovës.

    Ai shkonte e i takonte ata, fliste sa më rrafshët me ta, e madje u premtonte shumë.

    Nuk u premtonte vetëm rritje të pensionit për blerjen e çokollatave për nipër, e mundësisë së blerjes së barnave, por ai shkonte aq larg, sa u premtonte me bindje të plotë se do ua kthejë edhe afër 3 milionë euro pensione të vjedhura nga Serbia, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kurti, gjatë dy fushatave të fundit elektorale, ka vënë theks tek përmirësimi i skemave sociale. Ka premtuar rritjen e pensioneve dhe kategorive të tjera përfituese nga skemat sociale të ekzekutivit.

    Para se të bëhej kryeministër, Kurti kishte premtuar dyfishimin e pensioneve minimale.

    Kishte premtuar edhe pesë shtëpi të reja për kujdes ndaj të moshuarve e po ashtu kishte thënë se shteti duhet të dëshmohet me të moshuarit, gratë dhe fëmijët.

    Madje, Albin Kurti, kur e kuptoi që partia e tij doli fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, nuk i kishte harruar t’i fusë në fjalimin e tij pensionistët.

    Gjatë fushatës, Kurti kishte bërë një reklamë me një pensionist. Ai i thoshte Kurtit që t’ia rritë pensionin për t’i blerë nipit çokollata, ndërsa Kurti ia kthente: Unë jam Albin Kurti dhe unë e mbështes këtë kërkesë.

    Gati dy minuta ai flet për gjyshen Xhezide. Ai tregon në atë fjalim më shumë dashuri, se si kjo gjyshe kishte vendosur të dalë, e ta votojë atë. Ai madje i citon pikë e presje fjalët e saj.

    Por, duket se me kaq ka mbaruar.

    Qeveria Kurti II, në mbledhjen e djeshme, kishte vendosur që t’i ndalë shtesat e pensioneve.

    Nga 30 euro shtesë sa kanë marrë mbi pensionin bazë prej 90 euro, pensionistet, tash e tutje do të marrin veç 10 sosh.

    Ndryshe nga 120 euro, pas vendimit të djeshëm të Qeverisë Kurti, tash do t’i marrin vetëm 100 euro.

    Në lidhje me këtë, në Kosovë ka pasur reagime të shumta nga shoqëria civile, e po ashtu edhe nga partitë politike. Reagime kanë ardhur edhe nga partitë e djathta që ndryshe nga Lëvizja e Kurtit që është parti e majtë dhe nuk është pritur ky vendim, ata i kanë reaguar ashpër.

    Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka quajtur këtë vendim, skandaloz dhe të papranueshëm.

    “Skandaloz, i papranueshëm dhe nëpërkëmbës vendimi i Qeverisë Kurti për uljen e shtesave për pensionistët dhe mjekët e infermierët që po luftojnë me pandeminë. Kjo Qeveri që i la gjyshërit tanë pa vaksina tani po ua zvogëlon edhe atë pak mbështetje që u duhet për ilaçe”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

    Ndërsa mbrëmë i menjëhershëm ishte reagimi i të parit të AAK-së, Ramush Haradinajt.

    Haradinaj, kishte shkruar se nuk po i besohej që është marrë ky vendim.

    “S’po muj me besu që të hiqen 20 euro shtesa nga pensionet, në këtë kohë kaq të vështirë. Jonjerëzore”, shkroi ai.

    E deputetja Time Kadrijaj, me një fotografi të Kurtit me një të moshuar kishte shkruar: Axhë ti heka 20 euro se 10 te dalin boll.

    Ndërsa një ndër reagimet më interesante ishte ai i aktorit Çun Lajçi.

    Lajçi kishte vendosur sot që ta pyes vetë Kurtin për pensionet.

    “O Albin shoqalani

    Pashë Çakorrin e Ramushit, a po m’kallxon, a përnimend don me na i hjekë nga 20 euro prej pensionit a?”, kishte shkruar Lajçi.

    Ndërsa sot, pas shumë reagimeve, ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, është sqaruar lidhur me vendimin e djeshëm për pensionet.

    “Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro. Këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale”, ka theksuar Murati./ Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark