Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit të ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut me biznesmenin Edmod Hajrizin, pra, drejtuesin e Kolegjin “UBT” është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe mes UBT-së dhe Akademisë diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.
Gazeta Insajderi ka siguruar marrëveshjen e nënshkruar sot.
Në këtë dokument thuhet se palët pajtohen për nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë, me qëllim të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës në tekstin e mëtejmë “AD”) dhe Kolegji UBT (në tekstin e mëtejmë Kolegji UBT), të dyja së bashku në këtë dokument të referuara si “Palët””. , bien dakord të nënshkruajnë këtë Memorandum Mirëkuptimi me qëllim të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të drejtës ndërkombëtare dhe disiplinave të tjera akademike si dhe me qëllim të avancimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit institucional të të dyja palëve”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Insajderi.

Pjesë e kësaj marrëveshje janë shkëmbimet e ligjeruesve, ligjeratat në fushën e diplomacisë seminare e konferenca.
Lidhja e ngushtë e qeverisë me institucionin në fjalë u vërtetua edhe nga përfshirja e ministrit Aliu si pjesë e stafit të këtij kolegji privat dhe gjithashtu gruas së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu ditën e djeshme njoftoi për nënshkrimin e një marrëveshjeje me kolegjin UBT.
Aliu aty merr një pagë të majme – më shumë se 1000 euro në muaj si profesor dhe bashkë me të edhe shefja e kabinetit të tij, Rineta Jashari, ku e njejta merr një pagë prej 800 euro si ligjëruese në këtë kolegj.
Jashtë këtij bashkëpunimi, nuk mbetet edhe Merita Barani, gruaja e Sveçlës e cila është e punësuar në UBT tash e disa vite.
Nënshkrimi i marrëveshjes së ministrit Aliu me universitetin në fjalë u përcoll edhe me kritika duke përfshirë reagimin e ish-këshilltarit të kryeministrit Kurti, Shkëlzen Gashi, i cili tha se kjo është shkelje e premtimeve të Vetëvendosjes.