
Qytetarët e Luginës së Preshevës të enjten kanë votuar përsëri në fshatin Tërnoc për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Me 13 mijë e 697 vota, kryetari i koalicionit të Shqiptarëve të Bashkuar, Shaip Kamberi, ka arritur ta sigurojë edhe një mandat të deputetit në Parlamentin e Serbisë.
Në një prononcim të dhënë për Gazetën Insajderi, Kamberi ka thënë se ”sot ka qenë një ditë e rëndesishme në përcaktimin politk të shqipëtarëve të Luginës”.
Sipas tij, këto zgjedhje kanë qenë “sfidë e jashtëzakonshme, në një ambient jashtezakonisht te acaruar politik”, është shprehur Kamberi për Insajderin.
Ai po ashtu deklaroi se ”do të mbesim e të vazhdojmë me përpjekje për më shumë, barazi, liri e drejtësi për të drejtat individuale e kolektive te shqipëtarëve të Luginës së Preshevës.”
Prononcimi i plotë i Kamberit dhënë Gazetës Insajderi:
“Sot ka qenë një ditë e rëndesishme në përcaktimin politk të shqipëtarëve të Luginës. Falënderoj parnerët e koalicionit, aktivistët për angazhimin e pakursyer e në vecanti votuesit që treguan për kulturen e lartë demokratike. Sfidë e jashtëzakonshme, ne një ambient jashtëzakonisht te acaruar politik. Do të mbesim e të vazhdojmë me përpjekje për më shumë, barazi, liri e drejtësi. Për të drejtat individuale e kolektive te shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.
Kujtojmë se në rundin e parë të zgjedhjeve, Kamberi nuk kishte arritur t’i marrë votat e mjaftueshme për një ulëse në parlamentin serb./Insajderi/