
Gazetarja shqiptare Erisa Zykaj në një lidhje direkte nga Brukseli me emisionin “Ballkan” në Abc të gazetares Linda Karadaku, ka folur për qëndrimin e mbajtur nga BE lidhur me sulmet mbi policinë e Kosovës në Veri të vendit. Ajo ka përçuar reagimin e Komisionit Europian mbi sulmet ndaj policisë së Kosovës në Veri së për ABC.
Pjesë nga biseda:
Karadaku: Unë dua të përqendrohemi në atë pjesë ku kemi shqiptarët, çfarë thuhet në Bruksel për sulmet në veri të Kosovës ndaj patrullës së policisë së Kosovës?
Zykaj: Sapo kemi marrë një reagim të KE lidhur me këtë çështje. Rikujtojmë, se ka qenë vetë ministrja e punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla e cila e ngriti problemin në forumin”, BE-ja takon Ballkanin të organizuar në Sofje këtë javë. Ja cili është reagimi I Komisionit Europian
“Bashkimi Evropian dënon ashpër sulmet e fundit ndaj patrullave të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës ndaj policëve të saj është i papranueshëm. I bëjmë thirrje të gjithëve që të shmangen spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të bëhet nga organet përkatëse ligjzbatuese” ka njoftuar Zykaj
Karadaku: Gjithashtu ka qenë në fakt dhe kemi pritur një reagim më të qartë nga PE, KE në lidhje me qëndrimin e Serbisë, e cila pavarësisht asaj që thotë nuk ka pranuar të vejë sanksione ndaj Rusisë. Ka ndonjë reagim të qartë?
Zykaj tha se ka patur një debat të nxehtë në gjirin e komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit Europian, ku është i kërkuar Serbisë që të ketë një qëndrim të qartë lidhur me rreshtimin me politikën e jashtme të Bashkimit Europian dhe sanksionet e BE-së kundër Rusisë për agresionin në Ukrainë. Edhe vetë raportuesi për Serbinë në këtë institucion, është shprehur, se edhe pse shtetet janë sovrane për të marrë vendimet e tyre, si mik i Serbisë i këshillon vendit, i cili ka hapur negociatat e anëtarësimit në BE, që të zgjedhë kampin e saj. Grupet politike të Parlamentit Europian kanë folur për rrjedhoja për Serbinë nëse ajo nuk rreshtohet me sanksionet e BE-së kundër Serbisë, duke përfshirë ndërprerjen e fondeve të paraanëtarësimit.
Zykaj shtoi se për çështjen e sanksioneve, së fundmi Gjermania ka qenë në të njëjtën linjë me qëndrimin e ardhur së fundmi nga parlamenti i saj (Bundestagu), duke thënë se nëse Serbia nuk i bashkohet sanksioneve, atëherë duhet t’i ndërpriten fondet e para anëtarësimit (fondet IPA). Gjermania ka një rol shumë të rëndësishëm, pasi bashkë me Francën janë motori i BE në shumë fusha dhe politika të BE-së, prandaj kjo duhet marrë me shumë seriozitet. Madje, vetë kancelari i ri gjerman, Olaf Scholz tregoi një angazhim për procesin e Berlinit. Duhet thënë, se në këtë kontekst të agresionit të Putin në Ukrainë, BE nuk mund t’i lejojë vetes që një vend kandidat të mos ketë një qëndrim të qartë ndaj politikës së jashtme të BE dhe sanksioneve të saj. Edhe vetë zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Sano në një nga reagimet e tij të fundit, ka thënë se bëhet fjalë për një detyrim moral, pasi bëhet fjala për një luftë dhe nuk është vetëm një kërcënim për Europën, por edhe për një kërcënim i drejtpërdrejtë për Ballkanin Perëndimor. Madje vetë Gërvalla tha se Ballkani Perëndimor është i ekspozuar ndaj këtij rreziku, dhe duhet treguar shumë kujdes për paqen dhe sigurinë.
/Abcnews