
Kombet e Bashkuara, më konkretisht Zyra për Drogë dhe Krime, kanë publikuar raportin e fundit lidhur me konsumimin dhe shpërndarjen e drogës, specifikisht kokainës, nga vende të ndryshme të botës.
Sipas këtij raporti, 3.7 për qind nga 5 për qind e moshës 15-64 vjeç janë përdorues të rregullt të kokainës.
Shqipëria fatkeqësisht radhitet si shteti i parë në këtë listë të Kombeve të Bashkuara, pasuar nga Anglia, Australia, Skocia, Spanja, Holanda, Mali i Zi, Uruguai, Argjentina dhe Danimarka.
“Rritja e fragmentimit të peizazhit kriminal në Kolumbi ka nxitur formimin e aleancave të reja midis grupeve kriminale dhe mundësi të reja për rrjetet kriminale evropiane për të vendosur kontakte të reja me ofruesit në Amerikën e Jugut. Disa nga këto grupe, veçanërisht rrjetet kriminale shqipfolëse dhe të Ballkanit Perëndimor, janë bërë veçanërisht të spikatur në prokurimin e sasive të mëdha të kokainës drejtpërdrejt në burim – duke e shuar ndërmjetësin”, thuhet në këtë raport.
Mes tjerash, në publikimin e fundit të Kombeve të Bashkuara që janë statistika për vitin 2021, shqiptarët përmenden plot 54 herë në lidhje me konsumimin e drogës.
Kombet e Bashkuara thonë se disa vende si Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Belgjika kanë raportuar se shqiptarët kanë kontroll të konsiderueshëm në trafikun e drogës brenda territorit të tyre.
“Disa burime vërtetojnë rolin e zgjeruar të grupeve ballkanike në tregtinë e paligjshme ndërkombëtare të kokainës, megjithatë raporte të tilla jo gjithmonë e dallojnë identitetin e grupeve të tilla me detaje të mjaftueshme. Ka të ngjarë që grupet shqipfolëse në veçanti të veprojnë kryesisht në mënyrë autonome nga grupe të tjera nga rajoni i Ballkanit (megjithëse ka edhe bashkëpunim). Autoritetet nga Mbretëria e Bashkuar identifikuan grupe shqiptare në veçanti, midis kriminelëve nga Ballkani dhe vlerësuan se ata kishin vendosur kontroll të konsiderueshëm në të gjithë tregun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Që nga viti 2010, Italia, Gjermania dhe Belgjika e kanë identifikuar vazhdimisht shqiptarin në mesin e dhjetë kombësive kryesore të individëve që vihen në kontakt zyrtar me policinë për vepra penale të trafikimit të kokainës, por në vitet e fundit një rol të tillë është raportuar edhe nga Austria, Bullgaria, Greqia dhe Zvicra”, shkruan tutje në raport, përcjell Demokracia.com.
Shqipëria dhe shqiptarët përmenden plot 54 herë në këtë publikim lidhur me përdorimin dhe shpërndarjen e kokainës.
Më 15 shtator 202, Europol në bashkëpunim me Eurojust kishin kryer bastisje të koordinuar në një operacion që përfundoi me “çmontimin” e një prej rrjeteve aktive më të mëdha që trafikonin kokainë në Evropë.
Si rezultat i këtij aksioni të përbashkët ishin arrestuar 20 persona nga Holanda, Gjermania, Greqia, Rumania, Hungaria, Spanja, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara, të gjithë shqipfolës.