
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se kanë krijuar një grup punues me Ministrinë e Arsimit, përmes së cilit synojnë që çështja e sigurisë të futet si lëndë në shkolla.
Këtë njoftim Mehaj e bëri të enjten, gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.
“Në këtë drejtim kemi formuar një grup punues me shiku se a ka ndonjë mundësi për ta futur lëndën e sigurisë në shkolla. Si jepet ndihma e parë, si duhet të reagojmë në rastet e fatkeqësive të jenë pjesë e kësaj lënde”, deklaroi ministri para anëtarëve të komisionit.
Ndërsa, i pyetur se kur pritet të miratohet Ligji për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, premtim ky elektoral, Mehaj tha se duhet të ketë rezervë shtetërore.
“Duhet të bëhet edhe një vlerësim, duhet të ketë një rezervë shtetërore. Pra, duhet të ketë edhe harmonizim me strategjinë e sigurisë”, tha ai.