
Kompania Neptun Kosova ka reaguar pas arrestimit të punëtorit të tyre si i dyshuar për vjedhje të të dhënave të kartelave bankare të klientëve.
Insajderi raportoi dje ekskluzivisht se Avdyl Selimi është personi që është arrestuar si i dyshuar që ka keqpërdorur kartelat e klientëve që kanë blerë në Neptun duke ua marrë të dhënat dhe pastaj ato i ka përdorur për përfitime personale duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave të cilat më pas i ka shitur.
Insajderi ka kontaktuar edhe kompaninë Neptun Kosova të cilët thonë se do të bashkëpunojnë me organet e rendit për të marrë trajtimin e duhur rasti.
“Kompania jonë do të vijoj bashkëpunimin me organet e rendit në mënyrë që ky rast të marrë trajtimin e duhur. Gjithashtu, duam të sigurojmë të gjithë klientët tanë që Neptun Kosova kujdeset përditë që çdo shkelje që cënon ata të denoncohet dhe të hetohet si rasti në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Neptun.
Lidhur me rastin nga Neptun thonë se ndaj të dyshuarit Avdyl Selimi kanë filluar procedurën disiplinore konform legjislacionit në fuqi dhe akteve të brendshme të kompanisë.
“Nga organet e rendit jemi njoftuar se personi në fjalë është arrestuar dhe se ndaj të njëjtit janë ndërmarrë veprimet ligjore për hetimin e rastit. Po ashtu mund të konfirmojmë se ndaj të njëjtit person ne kemi filluar procedurën disiplinore konform legjislacionit ne fuqi dhe akteve te brendshme te kompanisë”.
Sipas tyre, që nga momenti që është marrë sinjali i parë që një punonjës mund të ishte duke kryer aktivitet të kundra ligjshëm, Neptun Kosova ka vënë në dispozicion të institucioneve publike gjithë infrastrukturën e nevojshme për hetimin e ngjarjes.
Avdyl Selimi, përgjegjës i ndrimit në kompaninë “Neptun” dega në Podujevë, është personi që u arrestua të hënën nga Policia e Kosovës si i dyshuar për vjedhjen e të dhënave nga kartelat bankare të klientëve dhe pastaj këto të dhëna dyshohet se i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave të cilat më pas i ka shitur, shkruan Insajderi.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i dyshuari ka kryer verpra penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit” sipas kodit penal të Republikes së Kosovës.
Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktaur masën e paraburgimit prej një muaji.
“ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në
Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Lëshimi i çeçeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i karteleve të bankës apo të kreditit nga neni 301 paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”. /Insajderi.org/