Duke përkujtuar Deharin, Albin Kurti ngre dyshime për deputetët e ministrat e tij - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Duke përkujtuar Deharin, Albin Kurti ngre dyshime për deputetët e ministrat e tij

    Insajderi
    12 June 2022 - 18:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të shtunën është shënuar përvjetori i vdekjes së Arbënor Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje. E kjo parti, ka organizuar një tribunë përkujtimore për nder të tij, e ku prezent ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që është njëherit kryetar i Vetëvendosjes, ku Dehari ishte aktivist. Ai e quajti dëshmor Arbënor Deharin, por duke mos treguar se kush e vrau atë, ndonëse ai zyrtarisht është i vetëvrarë.

    Në fjalimin e tij, mes rreshtave kryeministri Kurti duke e ndritur lartë aktivizimin e Deharit, hedh dyshime tek deputetët e ministrat nëse ata do të ruajn frymën e zellin e aktivizmit sic ka bërë dikur Dehari.

    “A do ta kenë deputetët dhe trupat tanë nëpër ministri aftësinë për të ruajtur frymën e zellin e aktivizmit, apo edhe për ta fituar atë nëse janë të rinjë mes nesh? A do ta kuptoj votuesi qytetar e qyetari votues se ç’ishte ajo frymë që e fiton dhe e mbron Kosovën? Në të katër trupa kërkohet ndershmëri, punë dhe guxim: tek aktivisti, te deputeti, te punonjësi ynë në ministri, te votuesi? Por te cili prej tyre është më e natyrshme, te cili më e thjeshtë për t’u ruajtur, te cili më e thjeshtë për t’u shprehur?”, shkruan Kurti në Facebook.


    Sipas Kurtit, të gjitha këto pyetje mund të na shkojnë në mend në çdo çast, por “jam i bindur se ato mund t’i shprehim në mënyrë të drejtpërdrejtë e me zë të lartë, në grup, para jush, mes jush, vetëm me një kusht: me foton e Arbënorit në krah, përballë, e në sfond”.

    Kurti zgjodhi ta përshkruante aktivistin e vdekur të VV-së. Duke folur për figurën e Deharit, Kurti e përdori termin dëshmor.

    Ai tha se kur shikojnë fotografinë e aktivistit, shohin gjendjen e tij të lëvizjes, duke shtuar se për dëshmorin e kemi më të lehtë të flasim.

    “Arbënori, është figura e ndalur në kohën e lëvizjes, me metodën unike që Lëvizja jonë e ka ushqyer që nga themelimi: pra, të qenit i pandalshëm. Ajo është veçse një foto e ndalur e mënyrës sonë të qenies dhe të punës. Mirëpo, jo edhe jetë e kontribut i ndalur. Këtë e dëshmon edhe fakti që ne jemi mbledhur këtu dhe që Arbënorin e kujtojmë përditë dhe e gjejmë gjithandej”, tha Kurti para të pranishmëve.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark