Pas “Sunny Hill”, anulohet edhe një festival tjetër në Prishtinë. “Anulohet për momentin” festivali “Beerfest Kosova” i cili ishte paraparë të mbahet me 24 qershor deri me 26 në parkingun, prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Insajderi elaburon arsyen e anulimit.
10 ditë para mbajtjes së eventit “Beerfest”, Policia e Kosovës i njofton organizatorët se nuk mund të mbahet në lokacionin e paraparë. Ndonëse, në atë lokacion ishte mbajtur katër herë më përpara, policia sivjet nuk lejon mbajtjen e “Beerfestit” me arsyetimin se lokacioni është i papërshtatshëm.
Ekrem Tahiri, organizator i “Beerfest” tha për Insajderin se është befasuar me vendimin e Policisë së Kosovës të cilin e kishte marrë ditën e hënë.
Por, ka shpresë që ky festival të mbahet prapë. Tahiri tregon se janë duke bërë përpjeke që të gjejnë një lokacion të ri dhe data të ndryshme.
“Është anuluar për momentin sepse ne kemi pas me mbajt 24 deri me 26 qershor. Kërkesa për me n’dru lokacion na pamundëson për me majtë në të njëjtat data sepse nuk mundemi me gjet lokacion dhe me mbajt diku tjetër, për këtë arsye ne për momentin e kemi anulu dhe nuk do të mbahet në ato data dhe atë lokacion”, u shpreh ai.
Sfidë për organizatorët mbetet gjetja e një lokacioni të ri. Tahiri thotë se e kanë përkrahjen e Komunës së Prishtinës.
“Beerfest” që nga muaji mars kishte njoftuar organet e Policisë së Kosovës që do të mbahet ky event por nuk kanë marrë përgjigje deri 10 dite para se të mbahet.
“Kjo ke befasi për neve sepse ne aty i kemi mbajt katër edicionet e fundit dhe mendojmë që ai është lokacion i përshtatshëm, sepse është e frekuentuar si pjesë. Ne nuk e dim arsyen pse ai lokacion nuk i plotëson kushtet. Nuk ka asnjë dallim nga herët e tjera. Ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet. Ne i kemi bërë kërkesë që nga muaji mars dhe kanë pasur hapësirë të mjaftueshëm që me na njoftu që nuk lejohet aty e jo tani.”, deklaroi ai për Insajderin.
Çfarë u tha Policia e Kosovës?
Në një takim me zyrtarët e Komunës së Prishtinës, drejtorëve të drejtorive relevante dhe Policisë së Kosovës që u mbajt pasdite të hënën, me 13 qershor, u kumtua vendimi nga Policia e Kosovës që ky festival nuk do të lejohet të mbahet në lokacionin e përcaktuar (Parkingu, prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë), me arsyetimin se ky lokacion nuk i plotëson kushtet për këtë organizim.
Organizatori, Ekrem Tahiri shprehet i befasuar nga ky vendim.
“Polica nuk na kanë kthy asnjë përgjigje deri ditën e hënë. Ata na thanë ju mane por në një lokacion tjetër. Ky vendim ishte nga Policia e Kosovës. Sipas tyre lokacioni nuk është i përshtatshëm për këtë festival. E kemi përkrahjen e komunës dhe me ta jemi duke bërë përpjekje me gjet një lokacion tjetër të përshtatshëm”, u shpreh ai.
Sipas tij anulimi i festivalit “Beerfest” i ka dëmtuar mjaft shumë edhe financiarisht.
Beerfest Kosova është festival që organizohet që nga viti 2011 në Kosovë. Në çdo edicion vizitohet nga 50,000 deri 70,000 vizitore. Beerfest Kosova organizohet qe prej vitit 2011 nga Modus Events Company