
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalimin e ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtakut, pas grumbullimit të provave të reja lidhur me rastin e sulmit ndaj dy zyrtarëve policorë që ndodhi të shtunën mbrëma.
Tanimë policia e Kosovës është në kërkim të ish-nënkryetarit Lushtaku.
“Njëherit, pas grumbullimit të provave të mjaftueshme për këtë rast, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalim për të dyshuarin N.L., por i njëjti ende nuk është hasur nga policia dhe është në kërkim. Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Gazeta Insajderi e ka telefonuar avokatin e Lushtakut për kuptuar rastin, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.
Ndërkaq, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarit Faton Lushtaku dhe A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Siç njofton prokuroria, “ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit Faton Lushtaku, A.L., dhe Nuredin Lushtaku, me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj Enver Smakiqi dhe Mërgim Geci, që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë.
/GazetaInsajderi