
Komuna e Prishtinës ka paguar mbi 189 mijë euro për përfaqësim ligjor të jashtëm, raporton Gazeta Insajderi.
Komuna e Prishtinës ka shpërblyer “Avokatura Istrefi” me tri kontrata të ndryshme për përfaqësim ligjor të jashtëm, duke përdorur procedurën e negociuar.
Kontrata e parë, e lidhur në vitin 2020, duke përdorur procedurën e negociuar i ka kushtuar taksapagueseve të Prishtinës 99,453.00 euro. Kontrata e dytë e lidhur po ashtu në vitin 2020, për një periudhë gjashtë mujore ka kushtuar 43,759.25 euro, ndërkohë kontrata e tretë, e lidhur në vitin 2022, për një kohëzgjatje prej 4 muajve, i ka kushtuar Komunës së Prishtinës 46,578.00 euro.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka tre zyrtarë ligjor brenda zyrës ligjore që paguhen me pagë mujore dhe kanë për detyrë edhe përfaqësimin e komunës.
Problematike mbetet edhe përdorimi i procedurës së negociuar, e cila sipas Ardit Dragushës, hulumtues në organizatën e shoqërisë civile, Democracy Plus (D+) , çon në reduktim të konkurrencës dhe në ngritje të shpenzimeve për kontrata nga ana e komunës.
“Komuna e Prishtinës ka resurse të brendshme për përfaqësim ligjor të cilët paguhen edhe për këtë detyrë. Në qoftë se këto resurse humane nuk janë të mjaftueshme, atëherë Komuna e Prishtinës duhet të shpallë konkurs për rekrutim të stafit ligjor pasi e njëjta situatë po ndodhë çdo vit dhe po bëhen shpenzime të dyfishta duke paguar stafin e rregullt dhe kompani të jashtme për shërbimin e njëjtë. Gjithashtu, problematike është edhe përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, duke qenë se një procedurë e tillë zvogëlon konkurrencën dhe rrjedhimisht ngrit çmimin e kontratës” – u shpreh ai.
“Avokatura Istrefi” është kompani që merret me shërbime juridike teksa ka për aksionarë Arbër Istrefi dhe Zaim Istrefin sipas regjistrit publik në ARBK.