
S.G është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 12 muaj burgim e 2 mijë euro gjobë për shkak të veprës penale “hyrje në sistemet kompjuterike”, shkruan Insajderi.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media të lëshuar nga gjykata.
“Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.G për shkak të veprës penale Hyrje në sistemet kompjuterike nga neni 339, paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
I akuzuari S.G është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muaj, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 01.10.2021 e tutje si dhe dënim me gjobë në shumë prej dy mijë €uro (2000 €) €uro.
Ndërkaq, me aktvendim të veçantë, PS.nr.32/22, i datës 20.08.2022, të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në fillimin e ekzekutimit të dënimit – sanksionit penal, pasi aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm menjëherë meqë palët kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës.