Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike ku është miratuar vendimi që 5 shtatori të shpallet Ditë e Humanizmit në Kosovë.
Por, sipas Valmir Klaiqit, ish-këshilltarit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, një vendim i tillë ishte marr 6 vite më parë në Kuvendin e Kosovës.
“Shikojeni se si kryeministri aktual e ka marrë një “vendim të ri”, e i cili në fakt është marrë në Kuvendin e Kosovës 6 vite më parë”, ka shkruar Klaiqi në Facebook.
“Edhe pak javë ka me dalë për ta lexuar edhe deklaratën e pavarësisë”, ka ironizuar Klaiqi me vendimin e ekzekutivit.
Ndryshe, kjo datë përkon me ditën e vdekjes së humanistes shqiptare, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza.
“Shpallja e kësaj date si Ditë e Humanizmit në Kosovë, do të jetë shenjë e respektit dhe përkujtimit të vazhdueshëm nga Republika e Kosovës për të. Vendimin për shpalljen e 5 shtatorit si Ditë e Humanizmit në Kosovë e ka propozuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky vendim hynë në fuqi pas nënshkrimit nga ana e kryeministrit dhe obligon për zbatim Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të gjitha institucionet e tjera”, thuhet nga Qeveria e Kosovës.

