
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur sot për takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, shkruan Insajderi.
Kurti para gazetarëve konfirmoi se me Ramën ka diskutuar për tri tema. Për sigurinë kibernetike, për energjinë si dhe takimin e procesit të Berlinit, që pritet të mbahet në fillim të nëntorit.
Ai e cilësoi takimin si pozitiv e konstruktiv e të nevojshëm.
“Takim i djeshëm ka qenë një drekë pune me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe ka qenë një takim shumë i mirë, konstruktiv e pozitiv dhe i nevojshëm për shkak të temave që i kemi diskutuar e para është siguria kibernetike. Kjo ka qenë tema e diskutimit tonë dhe isha shumë i interesuar të marrë vesh sa më shumë për përvojën e tyre me sulmet e fundit që kanë qenë me të vërtetë shumë të dëmshme e kriminale”, tha Kurti përcjell Insajderi.
“Tema e dytë ka qenë sfidat e energjisë në javët e muajt në vijim në kuptimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të çmimeve të përballueshme ku ju e dini se KEK dhe KESH bashkëpunojnë ngushtë, ne tash gjatë verës u kemi dhënë shumë energji elektrike në Shqipëri në mënyrë që ata të na ndihmojnë pastaj gjatë dimrit dhe kemi diskutuar për situatën energjetike në përgjithësi…”, u shpreh ai.
“Tema e tretë ka qenë përgatitjet në dritën e rifillimit të Procesit të Berlinit, kësaj radhe me kancelarin e ri gjerman Olaf Scholz sepse ju e dini që takimet e mëhershme në kuadër të Procesit të Berlinit janë bërë me zonjën Merkel e tashmë për herë të parë bëhet nga kancelari Scholz dhe ka shumë punë të ekipeve tona dhe shumë bashkëpunim paraprak drejt mbledhjes së radhës së Procesit të Berlinit”, deklaroi Kurti.
I pyetur nëse është diskutuar edhe për “Ballkanin e Hapur”, Kurti deklaroi se “Në drekën që kemi pasur dje nuk është përmendur ‘Open Balkans’, ose ‘Open Balkan’, nuk e di a është me ‘s’ në fund apo pa ‘s’, por ajo që mund të them është se kemi diktuaur për përgatitjet sa i përket procesit të Berlinit”, përfundoi Kurti.