
Nga 25 gushti Sindikata e Arsimit ka hyrë në grevë, mësimdhënësit po kërkojnë nga qeveria 100 euro shtesë deri në Miratimin e Ligjit për Paga. Sipas kreut të SBASHK-ut fajtori i vetëm për greva është kryeministri i vendit, Albin Kurti, shkruan Insajderi.
Rrahaman Jasharaj nga SBASHK njëherit kryetar i këshillit Grevist të BSPK-së, ka deklaruar sot para anëtarëve të Komisionit për Arsim që është duke u sharë e ofenduar.
“U tentua që Rrahman Jasharaj të shpallet armik i vendit. Dhe asnjëherë nuk u distancuan deputetët e pozitës dhe kryeministri. Uroj që të kenë atmosferë të njëjtë siç e kam unë në shtëpi, uroj ta kenë nga Zoti”, tha ai.
“Mua duhet të më përcjellin në rrugë shokët, për shkak të inskenimeve. Rrahman Jasharaj nuk e ka shpallur dhe nuk e mbyll grevën. I vetmi fajtor është kryeministri Kurti dhe qeveria që drejton“, shtoi ai.
Ndërkohë, Jasharaj para deputetëve foli për neglizhencën që i bërë nga qeveria.
“82 shkresa i ka dërguar BSPK dhe asnjë takim serioz nuk kemi pasur. Takimi dy orësh me Muratin, kryeministrin, ministren e Arsimit, doli me stilin merr ose le. U bullizova nga kryeministri në kuvend për shprehjen vëlla. Sepse në Kosovë kur bisedojmë pa hile, e përdorim shprehjen “vëlla”. E harroj fjalinë e dytë kur i thash bëj të pamundurën si vëlla e kryeministër”, ka thënë Jasharaj përcjell Insajderi.