Një javë më parë kryeministri Albin Kurti kërkoi nga ministrat e tij që t’i dorëzonin raporte me të arriturat e tyre. Sot, ministri i Financave, Hekuran Murati i ka publikuar pesë të arritura të dikasterit që ai drejton në Facebook, shkruan Insajderi.
“…U vonuam që secili prej ministrave t’i sjell katër apo pesë të arriturat për një vit e gjysmë sepse më 22 shtator bëhen 1 vit e gjysmë. Duhet t’i sjellin këto të arriturat, por i kam thënë që të përmendin edhe të këqijat që janë ndalë. Tek pikat të ndryshme e kemi zgjatur këtë”, ishte shprehur Kurti pas mbledhjes së mbajtur me 14 shtator.
Ndërkohë sot ministri i Financave pesë të arriturat e tij i ka bërë publike përmes Facebook-ut.
Ai ka thënë se edhe pse ka ankesa të mëdha për rritjen e çmimeve dhe krizë ekonomike, ekonomia e Kosovë po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.
Murati ka prezantuar disa pika që sipas tij dëshmojnë se ekonomia e Kosovës është zgjeruar edhe në tremujorin e dytë të vitit 2022.
“Përkundër sfidave të vazhdueshme globale, ekonomia e vendit tonë po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme duke vazhduar zgjerimin edhe në tremujorin e dytë të këtij viti. Kjo vërehet edhe në trendin e qarkullimit të bizneseve në vend”, ka shkruar ai.
Shkrimi i plotë:
Përkundër sfidave të vazhdueshme globale, ekonomia e vendit tonë po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme duke vazhduar zgjerimin edhe në tremujorin e dytë të këtij viti. Kjo vërehet edhe në trendin e qarkullimit të bizneseve në vend.
Si qeveri:
kemi zhvilluar fushatën e vaksinimit më efektiven në rajon, gjë që ka mundësuar heqjen më të shpejtë të kufizimeve dhe hapjen e tërësishme të ekonomisë
kemi subvencionuar çmimin e energjisë elektrike, gjë që mundëson bizneset tona të jenë më konkurrente dhe të rrisin eksportin
kemi mbështetur prodhuesit në zgjerimin e kapaciteteve të tyre, duke subvencionuar 20% të vlerës së kredisë investuese
kemi rritur subvencionet në bujqësi duke trefishuar mbështetjen për grurin e duke rritur mbështetjen për produktet e kulturat tjera
kemi miratuar e shpërndarë pako masash, më shumë se cilado qeveri tjetër, për të mbështetur familjet në nevojë e rritur fuqinë e tyre blerëse
E shumë e shumë masa e veprime tjera, çdoherë në shërbim të mbështetjes së ekonomisë e bizneseve për të rritur prodhimin, eksportet e punësimin.