×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Intervistë | E futi Kosovën 3 herë në Librin Guinness, Arbnora Fejza-Idrizi dhe lidhja e saj me artin “origami”

    Insajderi
    24 September 2022 - 17:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Emri i Kosovës u përmend tre herë në librin e famshëm të rekordeve Guinness nga Arbnora Fejza-Idrizi. Në një intervistë për Gazetën Insajderi, e njëjta ka rrëfyer rrugëtimin e saj drejt këtyre sukseseve, sfidat, dashurinë për artin “origami” në veçanti dhe planet për të ardhmen.

    Insajderi

    Dëshirën për artin origami Arbnora e kishte që nga studimet universitare. Ajo tregoi se filloi të zhvilloj këtë art me fëmijët e moshës parashkollore.

    Dëshira për artin origami ka filluar  sa isha në studime në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Edukimit. Punova portretin e komandantit legjendar Adem Jashari 2m2 i tëri me copa letre. Ky punim ishte hapi kryesor që të realizoj ëndrrën time të madhe për rekordet botërore. I thoja vetes pse mos të jem edhe unë pjesë e botës?”, tha Fejza-Idrizi.

    Fejza-Idrizi tregoi sa të vështirë e kishte punimin e vazos me 80 mijë copa të letrës, të cilat ishin pa ngjitës. Ajo bëri të ditur se ka gati edhe pesë rekorde tjera.

    Rekordi i parë ka qenë sfidë në vete sepse ka pasur mjaft vështirësi  sepse kam pas kohën e kufizuar 8 orë, mirëpo unë kam arrit me përfundu për 3 orë e 30 min. Po ashtu, sfida më e madhe ka qen edhe Vazoja pasi janë përdorur 80 mijë copë letër pa ngjitës dhe frika me e madhe ishte pasi vazoja kohë pas kohe shembej. Por, realizimi i flamurit ka qenë sfida më e madhe për mua”, u shpreh ajo.

    Fejza-Idrizi komentoi edhe largimin nga puna si drejtoreshë e një çerdhe në Skenderaj nga Qeverisja e PDK’së. Ajo u shpreh e zhgënjyer me vendimin dhe e vlerësoi të padrejtë.

    Gjoja se Arbnora nuk plotëson kriteret për të qenë drejtoreshë më shume se drejtoresha që vinte në detyrë. Dosja ime e pasur me shumë diploma dhe arritje, puna e dëshmuar në institucion nuk ishte e mjaftueshme që unë të kem një punë. Është mjerim për vendin tonë që largon njerëzit e duhur për pozitat e caktuara, kuadrat e duhur po i largojnë“, deklaroi rekordmenja e çmimeve Guinness.

    Intervista e plotë e Arbnora Fejza-Idrizi për Gazetën Insajderi:

    Insajderi: A mund të na tregoni se kur keni filluar të merreni me art, veçanërisht  me artin e palosjes së letrës e njohur si origami?

    Arbnora Fejza-Idrizi: Dëshira për artin origami ka filluar  sa isha në studime në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Edukimit. Profesoresha e nderuar Arife Kurti me dashuri na mësonte artin e palosjes me shumë kreativitet. Aty vendosa të hulumtoj në faqe të  ndryshme në Youtube ku më tepër ky art realizohet në Japoni. Artin origami fillova ta zhvilloj me fëmijët e moshës parashkollore, pasi qe kisha lexuar se ky art rrit fantazin e fëmijëve dhe ndikon në zhvillimin e tyre. Në vitin 2013 hapa ekspoziten më të madhe në Mitrovicë me koleksione të ndryshme nga letra ku ekspozova 125 punime. Ekspozita vazhdoi në qytetin e Skenderajt dhe kishte interesim të madh. Mendova pse mos ta sfidojë vetën. Punova portretin e komandantit legjendar Adem Jashari 2m2 i tëri me copa letre. Ky punim u ekspozua ne Skenderaj ku edhe u vlerësua nga kryetari Bekim Jashari i cili e vendosi në Muzeun e Jasharajve. Ky punim ishte hapi kryesor që të realizoj ëndrrën time të madhe për rekordet botërore. Gjithnjë kam ëndërruar të jem pjesë e librit botërorë dhe të sfidoj vetën. I thoja vetes pse mos të jem edhe unë pjesë e botës?

    Insajderi: Ju keni hyrë tri herë në librin e rekordeve Guinness për tri vepra. A mund të na tregoni si erdhi ideja për këtë vepra dhe si arritët t’i realizonit?

    Arbnora Fejza-Idrizi: Në vitin 2018 së bashku me menaxherin Dan Qarkaj  vendosem të hulumtonim për rekordet aktuale që po realizoheshin në botë me artin origami. Fillimisht informacionet fillestare për metodën e aplikimit i mora nga rekordmeni kosovar Agim Agushi i cili me dha udhëzime për aplikim. Aplikuam edhe Guinness pranoj aplikimin. Ne me aplikacion shkuam në komunën e Skenderaj dhe i njoftuam rreth këtij aplikimi. Na priti kryetari Bekim Jashari i cili na ofroi mbështetje me ato mundësi qe kishte komuna. Kështu fillova provat zyrtare edhe arrita ta finalizoj me sukses dhe  njëkohësisht të realizoj lulen me të madhe në botë. Mirëpo kisha dëshirë që të hartoj një projekt që në listimet e Guinness nuk ekzistonte. Hartova projektin Vazoja me e madhe në botë me lule dhe flamuj që kanë njohur Kosovën. Mbas këtij suksesi mendova për diçka më të madhe dhe gjigante, mendova të realizojë flamurin e Kosovës.

    Insajderi: Cila nga tri veprat ishte më e vështirë për tu realizuar?

    Arbnora Fejza-Idrizi: Secila vepër ka qenë sfide në vete pasi në Kosovë nuk ekzistonte letra adekuate mirëpo Euro Printi ka bërë sigurimin e letrës. Rekordi i parë ka qenë sfidë në vete sepse ka pasur mjaft vështirësi  sepse kam pas kohën e kufizuar 8 orë, mirëpo unë kam arrit me përfundu për 3 orë e 30 min. Po ashtu, sfida më e madhe ka qen edhe Vazoja pasi janë përdorur 80 mijë copë letër pa ngjitës dhe frika me e madhe ishte pasi vazoja kohë pas kohe shembej. Por, me shumë mund e sakrificë e arritëm.

    Secili rekord ka pas vështirësi por realizimi i flamurit ka qenë sfida më e madhe për mua. Është dashur të bëhet ngjyrosja adekuate e letrës në fabrikën e Euro Printit ku drejtori i kësaj kompanie i angazhoi punëtorët në dite vikendi të bëjnë ngjyrosjen e letrës. Sfida më e madhe ishte kur filluam ti realizojmë pjesët e letrës palosjet për një sipërfaqe 1216m2 mbi 130 mijë copë. Rekordin arritëm ta finalizojmë me nje ekip shumë të madh: menaxheri, arkitekti, profesorët mbikqyrës si dhe 30 nxënës nga Gjimnazi Hamëz Jashari. Ky rekord u finalizua për 14 orë dhe arritëm ta fitonim.

    Insajderi: Si mund ta përshkruani ndjenjën e të qenurit rekordmene në Guinness?

    Arbnora Fejza-Idrizi: Arrija e një suksesi që dikur ka qenë një ëndërr të bën të mendosh se mos akoma je ëndërr. Jam shumë e lumtur që kam arritur të jem pjesë e botës, të paraqes punën time të madhe që fatkeqësisht vendi im shumë pak po e vlerëson.

    Insajderi: Çfarë jeni duke punuar aktualisht dhe a keni menduar të thyeni edhe ndonjë rekord tjetër në Guiness?

    Arbnora Fejza-Idrizi: Unë nuk ndalem, kam arritur ti bëj gati edhe 5 rekorde të tjera, jam duke pritur mbështetje nga institucionet tona shtetërore se a do më mbështesin. Kam arritur me finalizu një projekt ku do marr pjesë në Art Prizze në Luxemburg me një vepër artistike. Po ashtu jam duke i bërë gati edhe qendrat e mija edukative ku që sa vite jam duke punuar në hapjen e tyre.

    Insajderi: Çfarë ju pëlqen të bëni në kohën e lirë?

    Arbnora Fejza-Idrizi: Kohën e lirë përveç kujdesit ndaj fëmijëve dhe familjes time, shkruaj poezi, punoj në kanalin tim në Youtube “Diella Crafts” ku paraqes punime të shumta kreative.

    Insajderi: Çfarë ndodhi me pozitën tuaj në komunën e Skenderajt dhe kush mendoni se ju hoqi nga detyra?

    Arbnora Fejza-Idrizi: Pas sukseseve të mija unë u shpërbleva nga komuna ime me një vend pune, ku besoj edhe e kam merituar. Angazhimi im në atë institucion ishte maksimal, duke përdorur të gjitha anët e mija pozitive. Jam e lumtur që për kohen sa isha aty arrita të bëj një ndryshim shumë të madh. E dua punën time dhe kam dëshirë që kudo që të jem të reflektoj. Nuk ishte e re ajo punë për mua, unë kam pasur edhe më parë institucionet e mija për 10 vite në Prishtinë dhe Mitrovicë. Metoda e punës ishte reflektim për të gjithë pasi punoja dhe trajnoja edukatoret që metodën e punës të realizojnë edhe me këtë art. Por unë jam shumë e zhgënjyer me vendimin e komunës së Skenderajt, dhe mendoj ka qenë vendim i padrejtë!

    Dita e intervistës ka qenë mjaftë stresuese pasi që kanë krijuar kushte të tilla që unë të ndihem keq. Gjoja se Arbnora nuk plotëson kriteret për të qenë drejtoreshë më shume se drejtoresha që vinte në detyrë. Dosja ime e pasur me shumë diploma dhe arritje, puna e dëshmuar në institucion nuk ishte e mjaftueshme që unë të kem një punë. Është mjerim për vendin tonë që largon njerëzit e duhur për pozitat e caktuara, kuadrat e duhur po i largojnë. Nuk duhet të politizohen institucionet edukative.

    Ne po zhgënjehemi çdo ditë, edhe çka duhet me bo me dëshmu në këtë vend se jemi të aftë? Sidoqoftë unë nuk ndalem do të vazhdojë me punën dhe me suksese.

    Insajderi: Cili është mesazhi juaj për gratë dhe rininë kosovare?

    Arbnora Fejza-Idrizi: Mesazhi im është mos t’u ndaloj një sfide nga ëndrrat e juaja, me pune mundeni të ja dilni. Punoni shumë për veten, për familjen dhe arrijeni dëshirën tuaj, edhe nëse të tjerët nuk dinë të ju vlerësojnë!

    Insajderi: Cili është qëndrimi juaj për Udhëzimin Administrative për bartjen e shamisë? Nga cila moshë mendoni se është e duhet të vendoset shamia?

    Arbnora Fejza-Idrizi: Nuk kisha dashur shumë me komentu ,mjafton që bota nuk më pyeti se si dukem, por respektuan lirin time, projektet e mija dhe punën time. Të bëhemi njerëz që dimë të respektojmë të drejtën elementare njerëzore secili ka lirinë e zgjedhjes se si të duket.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark