
Zëdhënësja e LDK’së, Sibel Halimim ka thënë se “Partia në pushtet duhet të ndal propagandën”, teksa komenton videon propaganduese që Lëvizja Vetëvendosje e publikoi të hënën.
Halimi konsideron se VV’ja po ndjek rrugën autoritariste të qeverisjes, duke trajtuar ata që nuk janë në pushtet, si armiq të shtetit.
“Partia në pushtet duhet të ndal propagandën. Kjo qasje nuk i kontribuon zhvillimit të vendit. Emetimi i spotit pikërisht në ditën kur fillon mësimi e ndalen pagat e mësimdhënësve, tregon për rrugën autoritariste që po e ndjek kjo parti. Trajtimi i të gjithë të tjerëve që nuk janë pjesë e pushtetit si armiq të shtetit është vesi më i keq i pushtetarëve me prirje autoritare. Kurse bindja se “shteti jam unë”, po ashtu është armiku dhe kërcënimi më i madh i çdo rendi demokratik”, tha ajo.
Halimi i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të orientohet drejt vlerave të demokracisë, dhe kjo për shkak se, sipas saj, Kosova meriton qeverisje që synon mirëqenien e qytetarëve.
“Kosova meriton qeverisje, në krijimin e mirëqenies për qytetarët, jo synim e përpjekje për të mbytur zërin kritik në ujërat e turbullta të pushtetit autokratik. Kryeministri duhet të orientohet drejt vlerave të demokracisë, në të kundërtën vendi ynë me këtë frymë të krijuar do të bëhet i pajetueshëm.”