Sot kur në rend të ditës është çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën në Këshillin e Bashkimit Evropian. Komentin e tij para fillimit të mbledhjes i ka dhënë edhe kryeministri, Albin Kurti.
Kurti tha se kjo temë diskutohet në një instancë tjetër, teksa shtoi se gjatë ditës me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, ka folur për Raportin e Progresit.
“Çështja e vizave diskutohet në një instancë tjetër, ajo çfarë kemi diskutuar ne është progresi i Kosovës në Raportin e Progresit edhe sa i përket rajonit Ballkanit jemi shumë mirë, më mirë se shumica. Gjithashtu edhe sa i përket raporteve të mëhershme të progresit jemi shumë më mirë”, është shprehur Kurti.
Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën sot për herë të parë do të jetë temë diskutimi në takimin e Grupit Punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Europian.
Qeveria e Çekisë, e cila kryeson Presidencën e Bashkimit Europian, ka konfirmuar se për sot e ka vendosur për diskutim në rend dite temën e vizave të Kosovës.