
Kuvendi i Kosovës po shqyrton Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027, të cilin e prezantoi kryeministri Albin Kurti.
Këtë dokument të dobët e ka quajtur deputeti i AAK-së, njëherit kryetar i Komisionit për Siguri dhe Çështje të Mbrojtjes, Bekë Berisha, shkruan Insajderi.
Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mos transparencë gjatë hartimit të kësaj strategjie.
Berisha u shpreh se si kryetar i komisionit dhe i tërë komisioni për Siguri në Kuvendin e Kosovës, është anashkaluar nga Qeveria, duke mos i dhënë hapësirë për sygjerime dhe për ta dhënë kontributin si deputetë.
“Strategjia e fundit e cila është ardhë për votim sot si draft, ka dalë për publikun dhe për komente qysh në muajin mars të këtij viti. As une si kryetar dhe as anëtarët e tjerë të Komisionit për Siguri dhe Çështje të Mbrojtjes nuk kanë qenë të njoftuar paraprakisht në mënyrë që të japim kontributin tonë në këtë strategji si komision”, u shpreh Berisha.
“Këtë dokument të fundit e ka përpilu një zyrtar i shtetit, për të cilën e falenderoj për mundin por nuk është ekspert dhe nuk ka ditë ta bëjë. Ky është një dokument i rëndësishëm. Është një djalë i ri, punon qaty në Kryeministri. Ky dokument nuk e ndihmon sigurinë. Ju merreni qysh doni, analizoni, por ky dokument nuk është adekuat” – shtoi Berisha.
“Sa i përket çështjeve të sigurisë, strategjisë, ligjeve, bashkëpunimit, ndihmes dhe votimit, pavarësisht disponimit politik ne jemi përcaktu me përkrah këtë sektor me të gjitha. Si kryetar i Komisionit për Siguri, si deputet dhe si grup parlamentar i AAK-së”, tha Berisha tutje.
“Ky dokument është i mjegullt, dhe nuk e ndihmon sigurinë aspak. Kështu që kthene këtë dokument e kthene në Komision, kështu nuk mund t’ju japim mbështetjen”, përfundoi Berisha.