Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka konfirmuar se tanimë ka skaduar afati i mbikëqyrjes për çmimet e derivateve në Kosovë, por pavarësisht kësaj masat mund të rikthehen, shkruan Insajderi.
Afati ka qenë ka qenë i caktuar deri me 8 nëntor të këtij viti, pas kësaj menjëherë në treg është vrenjtur rritje e çmimeve për këtë MINT ka paralajmëruar rikthim të masave.
“Në rast të rritjes së paarsyeshme të çmimeve të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të nxjerr vendim për rregullimin e çmimeve dhe masat e tjera mbrojtëse…”, thuhet në njoftim.
Njoftim i plotë:
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton se Vendimi për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse, me nr. 6094-1, i datës 06.10.2022, ka skaduar me datën 08.11.2022.
Në bazë të evidencave dhe analizave të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut dhe Departamentin e Naftës (MINT), çmimi i derivateve sot në treg rrjedh si rezultat i rritjes së çmimit të derivateve të importuara.
Në rast të rritjes së paarsyeshme të çmimeve të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të nxjerr vendim për rregullimin e çmimeve dhe masat e tjera mbrojtëse, sipas Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e Tjera Mbrotjëse dhe me evidencë nga raportet ditore nga Inspektorati i Tregut, Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, si dhe në konsultim me Autoritetin e Konkurrencës, Shoqatën e Naftëtarëve dhe bizneset individuale të naftës dhe konsumatorët.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është e përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorit dhe ruajtjen e konkurrencës së shëndoshë në tregun e Republikës së Kosovës.