
Ambasadori i Somalisë në Turqi, Jama A Mohammed, në një cicërimë në Twitter lajmëroi për një takim me Ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agon Vrenez, ku ndër temat që biseduan tha se ishte “zgjerimi i marrëdhënieve bilaterale Somali-Kosovë”, shkruan Insajderi.
Por, vetëm mëpastaj ai e hoqi publikimin e tij, kur ngriti dilemën se a po vazhdon Somalia ta njohë apo jo Kosovën.
Aleksandar Vuçiq, në adresimin e tij vjetor, paraqiti nëntë emra shtetesh për të cilat tha se kanë tërhequr njohjen ndaj Kosovës në mesin e të cilave e renditi edhe Somalinë.
“Jam i nderuar të pres Agon Vrenezin, ambasadorin e Kosovës në Turqi. Kemi diskutime produktive në zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe shkëmbim të informacioneve dhe pikëpamjeve rreth çështjeve aktuale në rajon”, shkroi ambasadori somalez në Twitter.
Por, këtë cicërimë ai e hoqi.
Somalia më 19 maj të vitit 2010 notën diplomatike të njohjes ia kishte dorëzuar asokohe Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Në notën njohëse thuhej gjithashtu se qeveria e Somalisë ishte e vetëdijshme për kontributin jetik që Republika e Kosovës ka dhënë për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.
Më 4 janar të këtij viti, Presidenti i Serbisë, e paraqiste si sukses të fushatës ndërkombëtare të Serbisë për çnjohjen e Kosovës.
“Kemi nëntë vende që e kanë tërhequr njohjen, presim të dhjetën”, tha Vuçiq.
Çnohjet që Vuçiq i pretendonte vnin nga Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia e Maldivet.
Serbia pretendon se janë vetëm 88 shtete në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që pranojnë/njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa Kosova thotë se janë 117 prej tyre, siç paraqiten në uebsajtin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Njohja ndërkombëtare e një shteti është një akt de jure i pakthyeshëm, ndonëse në rastin e Kosovës, si një jo-anëtare e OKB-së, kthehet në mungesë votash, në rast se ka lëkundje në qëndrimin e ndonjë shteti ndaj Kosovës në të ardhmen./Insajderi/.