
Pas një serie deklarimesh kundër Plan-Propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, krerët e këtyre dyve të fundit do të zhvillojnë takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, mëson Insajderi.
Burime të Insajderit na tregojnë se mbrëmjen e sontme Escobar i ka ftuar në “darkë pune” liderët opozitarë me të mbërrirë në Prishtinë pas vizitave të tij në Beograd.
Ishte edhe vetë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili kohëve të fundit ka zhvilluar një numër takimesh me opozitën kosovare, ndërsa për PDK-në dhe LDK-në dje tha se është “i bindur” se ata do të vendosin “interesin nacional mbi atë partiak”.
Kreu i PDK-së Memli Krasniqi këtë të enjte u shpreh se “marrëveshja kështu siç është” nuk e ka votën e partisë së tij po qe se ajo nënshkruhet dhe dërgohet në Kuvend. Siç argumenton ai, një marrëveshje e cila është e përkoshme, jo gjithpërshirëse dhe pa njohje të ndërsjellë, rrjedhimisht nuk mund ta ketë mbështetjen e PDK-së.
Pothuajse në të njëjtën linjë qëndrimesh është edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili vlerëson se një marrëveshje e tillë çfarë është arritur, pa njohje dhe e përkohshme, “nuk mund të garantojë normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Deri më tash, vetëm kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dalë në mbështetje të palëkundshme Plan-Propozimit të BE-së për normalizimin të marrëdhëniueve, duke pretneduar madje se “aty është njohja”, konkluzion të cilin nuk e ndajnë madje as ndërmjetësit./Insajderi/