
Planin e Administratës Tatimore të Kosovës për t’i detyruar personat që japin tokat e tyre për ndërtim të banesave të paguajnë tatim shtetit nuk është pritur mirë nga shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës.
Kryetari i Shoqatës së ndërtuesve, Faton Hoxha ka thënë për Insajderin se nëse merret një vendim i tillë – nuk mund të bëhet tatimi për pronaret e tokave.
Ai tha se nuk kanë ndonjë informacion për një formë të tillë tatimore. Sipas tij , dhënia e tokës për banesa nuk është shit-blerje por është investim i përbashkët ku pronarët e tokave japin tokën ndërsa ndërtuesi e bën ndërtimin dhe në fund fitimi ndahet.
“Nuk kemi ndonjë shpjegim se si do të tatohen ato toka. Ndërtimtarët që i marrin ato toka bëjnë me këmbim malli. Nuk është shit blerje ajo por është sikur investim i përbashkët ku pronarët e tokave e japin tokën ndërtuesi e bën ndërtimin dhe në fund në emër të fitimit – një pjesë e merr pronari I tokës varësisht prej marrëveshjes, tash për me ia qit vlerën e tatimit ish dashtë me qenë një formulë.
Sipas Hoxhes- nuk bëhet tatim aty. “Nëse vlerësohet toka me çmimin e tregut dhe hapësirat e lokalit që i merr pronari – realisht nëse bëhet këmbim po bëhet mall me mall që i ka vlerat e barabarta dhe nuk bëhet tatim aty” tha tutje Hoxha.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj kishte paralajmëruar se ATK do të merret me personat që i japin tokat e tyre për ndërtim të banesave.
“Kur kemi transaksion këmbimi mall me mall, pra tokë me banesë, kjo krijon aktivitet ekonomik dhe fitimi duhet të tatimohet. Pra kemi fitim kapital dhe në këtë rast, qytetari që nuk është biznes, është i obliguar që ta paguajë tatimin në fitim”, shpjegon Murtezaj në një emision në Klan Kosova.
Ndryshe, ATK është duke paralajmëruar sektorin e ndërtimtarisë se do të merret ekskluzivisht me këto biznese për t’i obliguar që të paguajnë tatim shtetit duke i cilësuar si sektori që më së paku paguajnë dhe deklarohen në ATK.