Trashëgimtarja e vetme e një prone në Gjakovë, Ardiana Osmani, po ballafaqohet prej vitesh me fqinjët dhe sistemin gjyqësor në përpjekje për të mbrojtur një parcelë familjare prej 15 ari, për të cilën pretendon se po tentohet të përvetësohet. Osmani akuzon institucionet për zvarritje të procesit dhe ngre dyshime për korrupsion, ndërsa Gjykata Themelore në Gjakovë mohon akuazat për korrupsion.
Si trashëgimtare e vetme e pronës së familjes së saj, Ardiana Osmani thotë se prej vitesh po përballet me një betejë të gjatë ligjore për të dëshmuar pronësinë mbi një parcelë prej 15 ari, të trashëguar nga nëna e saj, e ndjera Besa Bardoniqi.
Osmani rrëfen se prona është bërë objekt kontesti pasi, sipas saj, fqinjët kanë tentuar ta përvetësojnë duke menduar se toka nuk kishte trashëgimtarë ligjorë.
Ajo thotë se për vite me radhë ka kërkuar drejtësi në institucionet e kadastrës dhe në gjykatat në Gjakovë, duke kundërshtuar çdo tentim për t’ia marrë pronën që pretendon se i takon me dokumente trashëgimie.
Në anën tjetër, Gjykata Themelore në Gjakovë, përmes zyrës për media, ka deklaruar për Insajderin se çështja është trajtuar në përputhje me dispozitat ligjore dhe mbi bazën e provave të administruara në lëndë.
Sipas përgjigjes së gjykatës, kontesti ka nisur që nga viti 2009, kur paditësit Nimon Qerkezi, Sanije Pylla, Hasan Qerkezi dhe Kasim Qerkezi kanë paraqitur padi kundër Ferdonije Qerkezit për vërtetim të së drejtës së pronësisë mbi bazën e trashëgimisë.
Ndërkohë, e ndjera Besa Bardoniqi, përmes përfaqësuesit të saj ligjor, fillimisht kishte kërkuar të njoftohej për procedurën për shkak të interesit juridik, ndërsa më pas kishte paraqitur padi si ndërhyrëse kryesore për vërtetim të së drejtës së pronësisë.
Gjykata Themelore në Gjakovë kishte refuzuar kërkesëpadinë e saj në vitin 2018, vendim i cili ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit në vitin 2022.
Megjithatë, Gjykata Supreme e Kosovës, me aktvendim të vitit 2023, kishte aprovuar revizionin e Besa Bardoniqit, duke prishur vendimet e mëhershme dhe duke e kthyer rastin në rigjykim. Sipas Supremes, gjykatat e shkallëve më të ulëta kishin gabuar në trajtimin procedural të statusit të ndërhyrëses në këtë çështje.
Më pas, sipas Gjykatës Themelore, përfaqësuesi ligjor i Nexhat Bardoniqit dhe Ardiana Osmanit kishte dorëzuar parashtresë për vazhdimin e procedurës dhe precizimin e kërkesëpadisë.
Gjykata kishte kërkuar plotësimin e dokumentacionit dhe sqarimin e statusit procedural të tyre, përfshirë prova që dëshmojnë trashëgiminë ndaj të ndjerës Besa Bardoniqi. Por, sipas gjykatës, pala nuk kishte vepruar brenda afatit ligjor, çka kishte bërë që parashtresat të konsideroheshin të tërhequra.
Ky vendim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit në vitin 2026, e cila kishte refuzuar ankesën e Osmanit dhe Bardoniqit.
Megjithatë, Gjykata Supreme, me aktvendim të datës 26 mars 2026, ka aprovuar revizionin e Ardiana Osmanit dhe Nexhat Bardoniqit, duke e kthyer lëndën sërish në rigjykim dhe rivendosje.
Sipas Gjykatës Themelore në Gjakovë, lënda është pranuar më 12 maj 2026 dhe do të procedohet tutje brenda afateve ligjore.
Gjykata iu përgjigj edhe pretendimeve për korrupsion të ngritura nga Osmani, duke deklaruar se inkurajon çdo qytetar që të raportojë rastet e dyshuara të korrupsionit në institucionet e drejtësisë.
“Gjykata zotohet se do të bashkëpunojë në të gjitha format e parashikuara me ligj me institucionet kompetente, me qëllim të trajtimit dhe zbardhjes së plotë të rasteve të tilla”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Gjakovë. /Gazeta Insajderi/