Me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe rigjallërimit ekonomik të Janjevës, ka filluar zbatimi i projektit “Kodrat e duarve të arta”, që po implementohet nga OJQ “Shpresa e Jetës”, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Për gjashtë muajt e ardhshëm, gjashtë të rinj të komuniteteve të ndryshme do të marrin pjesë në trajnime intensive që do t’iu ndihmojnë atyre në zhvillimin e aftësive në punimet e drurit dhe zejtari.
Përmes kësaj iniciative synohet që të shtohet kurioziteti dhe pasioni i të rinjve për zanatet, artin dhe trashëgiminë dhe për t’i inkurajuar ata që të ruajnë vlerat kulturore dhe të bartin trashëgiminë e paraardhësve.
Pas përfundimit të trajnimit dhe praktikës së tyre intensive, qëllimi është që të fuqizohen këta të rinj për të zhvilluar më tej aftësitë e tyre dhe për të krijuar shtigje të reja në karrierë. Pavarësisht nëse është gjetja e një pune ose hapja e bizneseve të tyre të përpunimit të drurit, ne jemi të vendosur t’i ndihmojmë ata të nisin udhëtimin e tyre drejt pavarësisë financiare.