Kosova dhe SHBA me marrëveshje për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Ballina 5

    Kosova dhe SHBA me marrëveshje për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar

    Insajderi
    24 August 2023 - 16:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar marrëveshje mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar.

    Kjo marrëveshje siguron ruajtjen e informatave me interes shtetëror, komunikimin e shpejtë dhe pa pengesa me partnerët si dhe avancimin profesional të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

    “Sot së bashku me ambasadorin Hovenier u dakorduam që informacioni i kategorizuar si i tillë, do ruhet ashtu siç e parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do zbulohet përveç ndaj atyre që posedojnë certifikatë të sigurisë, pa marrë parasysh pozitën apo titullin që personi i interesuar në informacion të klasifikuar gëzon. Marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes së tij në raport me palët e autorizuar”, ka deklaruar Kurti gjatë takimit, raporton RTKlive.

    Tutje, Kurti ka thënë se Qeveria nëpërmjet sigurisë garanton pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial.

    “Koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyesi i qeverisjes së përgjegjshme. Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që qytetarët janë të mbrojtur, dhe një gjë e tillë e bën përmes veprimeve të mençura politike, ekonomike, diplomatike e ushtarake”, ka thënë Kurti.

    Kryeministri më tej ka thënë se zbulimi i informacioneve shtetërore rreth fushave si siguria, mbrojtja, tregtia, industria, teknologjia apo punët e jashtme mbrohet me ligj.

    Ambasadori Jeff Hovenier gjatë takimit theksoi se me këtë marrëveshje SHBA për Kosovën ka marrë detyrimin për mbrojtjen dhe shkëmbimin e informatave të klasifikuara.

    “Aftësia që partnerët të shkëmbejnë informata shpejtë dhe pa pengesa është jetike, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Përmbyllja e kësaj marrëveshje është e rëndësishme sepse shënon kulmin e më shumë se 2 viteve të negociatave por përfaqëson edhe arsyetimin e fuqishëm të SHBA-së  për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën në fushën e sigurisë”, deklaroi Hovenier.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark