MKRS ka vazhduar punëtorinë e radhës të grupit punues për hartimin e Koncept Dokumentit për Trashëgimi Kulturore.
Në kuadër të programit për reformën ligjore dhe institucionale në fushën e Trashëgimisë Kulturore në Republikën e Kosovës, është mbajtur takimi i radhës i grupit punues për hartimin e Koncept Dokumentit për Trashëgimi Kulturore. Ky dokument hap rrugë identifikimit të gjendjes dhe avancimit të politikave shtetërore për trajtimin e kësaj fushe.
Në këtë fazë, grupi punues është duke diskutuar për sfidat me të cilat përballet kjo fushë, me qëllim të identifikimit të problemit dhe parimet udhëheqëse për hartimin e këtij Koncept Dokumenti.
Grupi punues është i përbërë nga përfaqësues të institucioneve qendrore duke përfshirë Zyrën e Kryeministrit (ZKM), Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), përfaqësues nga institucionet lokale, ekspertë nga fusha e trashëgimisë, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe përfaqësues të organizatave partnere ndërkombëtare si UNDP-ja, UN-Habitat dhe OSBE-ja.
Me hartimin dhe miratimin e Koncept Dokumentit për trashëgimi kulturore, do të mundësohet avancimi i politikave programore për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë, në përputhje me standardet, praktikat dhe parimet bashkëkohore evropiane dhe ndërkombëtare.