
Politikani socialist Erion Braçe denoncoi dje pronarët e disa kompanive që kanë punuar për godinën e re të Bashkisë së Divjakës. Sipas tij, fasada e godinës së re dhe punimet që janë kryer janë të tmerrshme, si për vetratat, për fasadat dhe ambientet e brendshme.
“Shënoini këta emra: Bert Yzeiraj, Fred Ibrahimi, Andon Kristo, Skender Çela; Te katert bashke shkaterruan nje projekt fantastik-bashkine e re te #Divjakes”, shkruante ndër të tjera Erion Braçe në llogarinë e tij publike në Facebook.
Cilët janë biznesmenët që akuzon Braçe?
Newsbomb.al mëson se Robert Yzeiraj i “SPEKTRIT” dhe Alfred Ibrahimi i “ED KONSTRUKSION” janë fituesit e tenderit të njoftuar tre vite më parë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për ndërtimin e godinës së re dhe parkimit të Bashkisë Divjakë.
Ky bashkim operatorësh është shpallur fitues mes disa kompanive dhe bashkimesh operatorësh të tjerë, të cilët kanë garuar në vitin 2020 për këtë tender me fond limit 206,869,498 milionë lekë të reja, ose rreth 2.1 miliardë lekë të vjetra.
Dy kompanitë e drejtuar nga Yzeiraj dhe Ibrahimi kanë ofruar 140,788,187 lekë të reja ose 1.4 miliardë lekë të vjetra dhe janë shpallur fitues.
Mirëpo, referuar të dhënave të Open Data Albania, kjo procedurë prokurimi është kategorizuar me “flamur të kuq” që në momentin e njoftimit të fituesit në vitin 2020. Arsyeja është se janë skualifikuar nga gara të gjithë operatorët e tjerë, përveç fituesit.
Kushti në këtë tender ka qenë që fitues nuk mund të shpallet operatori me ofertën më të ulët.
Nuk dihet nëse Fondi Shqiptar i Zhvillimit me drejtues Dritan Agollin kanë ndjekur punimet për ndërtimin e godinës së re dhe parkimit të Bashkisë Divjakë, duke angazhuar kompani mbikëqyrëse siç e parashikon ligji, apo dy kompanitë e drejtuara nga Robert Yzeiraj dhe Alfred Ibrahimi kanë vepruar sipas planit të tyre, duke mos përmbushur kontratën./newsbomb.al