Hamasit i vritet një nga komandantët më të lartë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Hamasit i vritet një nga komandantët më të lartë

    Insajderi
    26 November 2023 - 20:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Hamasi – grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – njoftoi të dielën se njëri prej komandantëve të vet më të lartë është vrarë në luftë me Izraelin.

    Grupi radikal njoftoi të dielën për vdekjen e Mahmed al-Ghandour, pa treguar se kur dhe ku u vra ai.

    Ai është anëtari më i lartë i grupit që është vrarë në këtë luftë, e cila nisi më 7 tetor e nxitur nga sulmet e luftëtarëve të Hamasit në Izrael. Al-Ghandour ishte anëtar i lartë i grupit të armatosur dhe komandanti kryesor i Hamasit në veri të Rripit të Gazës.

    Ai u kishte mbijetuar së paku tri tentimeve të Izraelit për ta vrarë atë prej vitit 2002, sipas Projektit Kundër Terrorizmit, një grup me bazë në Uashington.

    Ndërkohë, armëpushimi i brishtë katërditor mes Hamasit dhe Izraelit vazhdoi në ditën e tretë të tij të dielën, pasi grupi radikal i liroi edhe 17 pengje të shtunën vonë, në këmbim të 39 të burgosurve palestinezë. Këmbimi i pengjeve me të burgosurit u krye në orët e vona të së shtunës, pas vonesave disa orëshe, për shkak se Hamasi e akuzoi Izraelin e se kishte shkelur marrëveshjen e armëpushimit.

    Lufta shpërtheu më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit në Gazë i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit, duke i vrarë së paku 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 240 të tjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

    Izraeli shpalli gjendje lufte menjëherë, duke kryer bombardime disa javore dhe duke e nisur një ofensivë tokësore, si pasojë e të cilave u vranë mbi 13.300 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vrarëve në Gazë ishin gra dhe të mitur./REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark