Inagurohet në Gjilan shtatorja e Ramiz Cërnicës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Inagurohet në Gjilan shtatorja e Ramiz Cërnicës

    Insajderi
    28 November 2023 - 14:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sot, në qendër të Gjilanit është inaguruar shtatorja e tribunit të kombit, Ramiz Cernica.

    Kjo u realizua nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Alban Hysneit, ndërsa aty morën pjesë përfaqësues institucionalë lokalë e qendrorë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të FSK-së, policisë e qytetarë.

    Paraprakisht, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina – Bunjaku me bashkëpunëtorë, ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, për të nderuar veprën heroike të tyre në shërbim të atdheut.

    Në ngjarjen e inaugurimit të shtatores, në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, ka folur drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri, i cili tha se sot po e nderojnë një personalitet të jashtëzakonshëm, një udhëheqës të shquar dhe një kontribues të pamohueshëm për historinë dhe kulturën shqiptare.

    Ai tha se Ramiz Cernica ishte luftëtar, patriot e organizator i mbrojtjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ishte pasqyra e rezistëncës së shqiptarëve kundër  robërisë.

    “Në ditën e flamurit, së bashku po e plotësojmë mozaikun e pasur historik e kombëtar këtu, në zemër të Gjilanit, edhe me figurën e derdhur në bronz të tribunit të kombit, Ramiz Cernica. Largpamësi Ramiz Cernica e donte tokën e trashëguar nga stërgjyrësit e tij, nuk dorëzohej asnjëherë, përkundër regjimit diskriminues ndaj shqiptarëve, dhe se ishte i bindur se një ditë ne do ta gëzojmë të drejtën tonë, lirinë tonë dhe bashkimin tonë në tokat tona”, ka thënë Zeqiri.

    Në emër të këshillit organizativ ka folur veprimtari Ismet Sylejmani, i cili e ka vlerësuar lartë veprën heroike të Ramiz Cernicës, bën të ditur kumtesa e komunës së Gjilanit, transmeton Klankosova.tv.

    “Para 78 viteve, heroi legjendar i Kuvendit të Kosovës në Prizren, tribuni trim e sypatrembur Ramiz Cernica, me qëndrimin e tij burrëror në mbrojtje të Kosovës në Parlament, në rrethim me kordon të hekurt ushtarak e policorë të ushtrisë dhe policisë pushtuese jugosllave, ia ka ndërtuar vetës së tij përmendoren në zemër të popullit, por edhe ia ka shkrirë shtatin e tij të derdhur në bronz”, tha ndër të tjera Sylejmani.

    Ndërsa në emër të qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti ka folur zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla.

    “Sot, në ditën më të madhe kombëtare të 28 nëntorit, ditës së flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë, po e bëjmë inaugurimin madhështor ashtu siç ishte vetë tribuni e heroi i madh i kombit, Ramiz Cernica. Kështu, mes nesh, madhështor e krenar, heroi Ramiz Cernica do qëndrojë përjetësisht duke na përkujtuar pandërprerë se ku ishim, çka përjetuam, si rrugëtuarm, si rezistuam dhe si luftuam, deri në ditët e sotme të lirisë, pavarësisë e shtetësisë”, është shprehur Syla.

    Në këtë ngjarje ka folur edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Luan Aliu dhe deputeti i Kosovës Lindore, Shaip Kamberi, të cilët thanë se inaugurimi i shtatores së Ramiz Cernicës është akt i kujtesës dhe i vlerësimit për një njeri që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit tonë.

    Në fund, në emër të familjes ka folur djali i Ramiz Cernicës, Milaim Hoxha, i cili e ka falënderuar kryetarin e Komunës, Alban Hyseni dhe të gjithë kontribuesit për vendosjen e shtatores së babait të tij.

    Ramiz Cërnica ishte djali i Mulla Halimit, bashkëluftëtarit të Idriz Seferit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark