11 vjet pas lirimit të tij nga Gjykata e Hagës - Haradinaj ka një mesazh - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    11 vjet pas lirimit të tij nga Gjykata e Hagës – Haradinaj ka një mesazh

    Insajderi
    29 November 2023 - 14:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot procesin gjyqësor ndaj tij në Tribunalin e Hagës, i cili kishte zgjatur me vite të tëra për të përfunduar në favor të tij dhe bashkëluftëtarëve të tij.

    Haradinaj ka thënë se ashtu siç ishte konfirmuar pastërtia e UÇK-së në rastin e tij, njëjtë do të ndodh edhe me të akuzuarit që sot mbahen në Hagë.

    “Edhe atë kohë kishim ndjenjën që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por megjithatë kur erdhi ishte lehtësim i madh, çlirim nga padrejtësitë që ndodhën gjatë procesit. Po ashtu sot besoj që do të vërtetohet pafajësia dhe pastërtia e bashkëluftëtarëve që janë duke u përballë me sfidën e radhës në Hagë. Ata shkuan si çlirimtarë atje, ashtu do të kthehen!”, ka thënë mes tjerash Haradinaj.

    Postimi i plotë i Haradinajt:

    Të dashur qytetarë,

    Më 17 nëntor 2004 pata marrë ftesë për t’u paraqitur për intervistim para prokurorëve të Hagës në Prishtinë, si i dyshuar për krime lufte dhe thyerjen e ligjeve dhe rregullave të luftës, ndërkaq më 8 mars 2005 dhashë dorëheqje si Kryeministër i Kosovës.

    Pas marrjes së aktakuzës së parë, filloi një proces i gjatë gjyqësor. Që nga ajo ditë e deri më 29 nëntor 2012, zgjati ndjekja ligjore ndaj meje. Edhe pse në aktgjykimin e parë u lirova si i pafajshëm, gjatë shqyrtimin në shkallën e dytë u vendos për rigjykim.

    I gjithë ky proces gjyqësor zgjati më shumë se 8 vjet, ku përfundimisht sot para 11 vjetësh, mora aktvendimin e pafajësisë i cili vulosi pafajësinë time dhe të bashkëluftëtarëve të mi, për luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së.

    Në këtë proces për vendosjen e drejtësisë, asnjëherë nuk mbeta i vetëm. Kisha afër familjen, bashkëluftëtarët, gjithë qytetarët e diasporën, por edhe institucionet tona, edhe pse në pjesën e parë nuk ishim shtet i pavarur.

    Edhe atë kohë kishim ndjenjën që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por megjithatë kur erdhi ishte lehtësim i madh, çlirim nga padrejtësitë që ndodhën gjatë procesit.

    Po ashtu sot besoj që do të vërtetohet pafajësia dhe pastërtia e bashkëluftëtarëve që janë duke u përballë me sfidën e radhës në Hagë. Ata shkuan si çlirimtarë atje, ashtu do të kthehen!


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark