
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim presidentin e Komitetit Olimpik të Europës, Spyros Capralos dhe sekretarin e përgjithshëm të këtij Komiteti, Raffaele Pagnozzi.
Capralos e përgëzoi Kurtin për arritjet e Kosovës në sport.
Sipas njoftimit, ai ka thënë se kjo vizitë e tij e parë në Kosovë vjen pasi vendi fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Ndërsa, Kurti ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për organizimin e këtyre lojërave, që janë ngjarja më e madhe sportive e mbajtur ndonjëherë.
Ai ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që kanë mbështetur vizionin e Kosovës, krahas punës së palodhur të Qeverisë dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.
“Duke folur për përgatitjet e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, Kryeministri Kurti falënderoi gjithashtu edhe presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i cili i dha theks të veçantë rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet dy komiteteve shtetërore drejt frymës së unitetit që kapërcen kufijtë përmes sportit”- thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Po ashtu thuhet se u vlerësua lart organizimi i Kampionatit Europian të Xhudos “European Championships Open”.
“U tha se ky organizim i ngjarjes më të madhe të sportit të xhudos organizuar ndonjëherë në Kosovë, dëshmon nivelin e seriozitetit dhe profesionalizimit të Kosovës si nikoqire e organizimeve të këtij niveli”- thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Prezentë në këtë takim ishin edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti dhe sekretari i përgjithshëm i KOKSH, Gerti Shima.