
Një qendër tregtare është përfshirë nga flakët mesditën e së hënës në qytetin e Lushnjes. Më shumë se 700 qytetarë, ishin brenda godinës tregtare në momentin që disa kate të saj u përfshinë nga flakët. Mes shumë vështirësive, një pjesë e mirë e qytetarëve arritën të dilnin pa lëndime. Me tyre pati dhe nga ata që kërkuan ndihmën mjekësore për shkak të asfiksimit nga tymi. Të paktën 20 qytetarë u dërguan në Spitalin e Lushnjes për mjekim.
Situata u përkeqësua ku pranë qendrës tregtare, shpërtheu zjarr edhe në një tjetër subjekt. Dy godinat krah njëra-tjetrës shkaktuan panik te qytetarët, të cilët kishin dalë për të bërë blerjet e Krishtlindjes. Raportohet se flakët u përhapën edhe në katet e banimit. Vështirësi më të madhe të evakuimit e patën fëmijët dhe të moshuarit. Ekipet e shpëtimit u gjendën në vështirësi për ndërhyrjen nga brenda godinës për shkak të përhapjes së zjarrit.
Për të neutralizuar flakët, është nevojitur që një pjesë e shërbimit zjarrfikës nga Tirana të udhëtojë drejt Lushnjes. Për shkak të mungesës së pajisjeve të sofistikuara, zjarrfikësit e Lushnjes janë hasur në vështirësi për shuarjen e flakëve. Dyshohet se zjarri që ka përfshirë godinën 12-katëshe në qendër të Lushnjes, ka rënë në një njësi që tregtonte këpucë.