
Qytetarët gjatë blerjeve nëpër markete, në shumë raste nuk i kushtojnë rëndësi të madhe kthimit të centëve. Për këtë “fenonomen” për Insajderin ka folur kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.
Dëmet vjetor ai po vlerëson të jenë 50 milionë apo rreth 5 mijë vende pune.
“Unë dhe KONSUMATORI para disa vitesh e kemi bërë një llogari aproksimative. Kjo llogari na thotë se brenda vitit te shitja me pakicë, edhe te shërbimet publike, qytetarit konsumator i mohohen rreth 50 MLN EUR / vit, ose rreth 5.000 vende pune. Nëse do ta bënim tani një matje të tillë shuma e abuzimit me qindarka / cente do të dilte edhe më e lartë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, dëmi më i madh i shkaktohet me mos vlerësimin, mospërfilljen e dinjitetit të qytetarit konsumator.
Kaçaniku i ka cilësuar si aspak profesionale këto veprime të bizneseve.
“Profesionalizmi nuk i lë vend arsyetimeve. Biznesi serioz e ka për obligim që te kalkulimi i çmimeve të ketë shumë kujdes. Kur kalkulohen çmimet dhe me fjalë të mëdha marketingu i ofrohen qytetarit konsumator – duhet pasur edhe veprime të vockla të respektimit të normave themelore socio-ekonomike-finansiare-fiskale-administrative-ligjore“, u shpreh ai.
Ai ka theksuar se “është obligim i pamohueshëm, i pashtyeshëm, i pa alternativë i biznesit që me kohë të furnizohet me monedha të nominacioinit: 1, 2, 5, 10 e 50 cent/Eur”
“Kusuri duhet t’i jipet menjëherë qytetarit konsumator e të mos detyrohet që ai ta kërkojë ose të turpërohet / ngurojë nga kërkimi i kusurit”, thekson ai.
Kritika për qeverinë
Me këtë veprim kryetari i “Konsumatorit” thotë se vërehet se sa e ultë është zbatueshmëria e ligjeve, kjo sipas tij duke pasur parasysh edhe Ligjin mbi standardizimet.
Kaçaniku ka pasur një sërë ankesash edhe për Qeverinë Kurti përkatësisht ministrinë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, për mos respektim të ligjit që mbron; konsumatorin.
“Ligji për mbrojtjen e konsumatorit e obligon Qeverinë, MINT-in dhe të gjithë të tjerët që kanë të bëjnë me qytetarin konsumator, e që të gjithë i shërbejnë një lloji të shfaqjes së qytetarit në rolin e ndonjë trajte të konsumatorit, hapjen / ofrimin e granteve me interes Institucional Shtetëror dhe me interes për qytetarin konsumator taksapagues. Por, për fat të keq, për afro 18 vite sa mbajmë mend unë dhe KONSUMATORI – këtë obligim mandator e ligjor nuk e ka përmbushur asnjë institucion i Republikës së Kosovës.
“Imagjinoni shkallën e lartë të hipokrizisë që po e shfaqë kjo klasë politike kur ndodhet në pushtet: Nuk alokojnë mjete për qytetarin konsumator, anise është taksapagues e gjenerues kryesor i Buxhetit të Shtetit, pra ndanë mjete / para edhe për ta finansuar vetvehten. Por, kur hipokrizia sundon masovikisht mohohen edhe të drejtat“.
/Insajderi