
Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar sot një zyrtar policor. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Marrje ryshfeti”, duke pranuar 1000 mijë euro për të ndikuar në një rast penal, shkruan Insajderi.
Gazeta Insajderi nga burime të saj ka kuptuar se hetuesi i arrestuar është Bekim Hyseni.
Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 Euro për të interferuar në hetimet e një rasti penal.
Hetuesit e IPK-së kishin filluar kohë më parë hetimet për këtë rast me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin e Krimeve të Rënda, thuhet në njoftimin e IPK-së.
“Pas disa veprimeve hetimore duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta hetimore, sot rreth orës 17:00 nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Obiliq zyrtari policor (hetues në Stacionin Policor në Obiliq) kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, njofton IPK.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim.