
“Këtë po e presin qytetarët”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nga foltorja e Kuvendit të Kosovës derisa kërkojë nga deputetë ta përkrahin reformën për Vetting, shkruan Insajderi.
Haxhiu deklaroi se kjo reformë ka qenë një nga zotimet kryesore të partisë së saj para qytetarëve të Kosovës.
“…Po e ritheksoj që Vettingu në sistemin e drejtësisë është çelësi që Kosova të jetë shtet i së drejtës. Vettingu është kushti që sistemi i drejtësisë apo në sistemin e drejtësisë të kemi prokurorë me integritet të lartë moral, por edhe profesional. Vettingu është rruga përmes së cilës mund të sigurohemi që gjykatat dhe prokuroritë veprojnë vetëm në përputhje me mandatin e tyre kushtetues dhe me mandatin e tyre ligjor, të pandikuar nga askush. Nga asnjë individ kushdo qoftë ai, grupet e interesit po ashtu apo pushtetet që vijnë e shkojnë“, u shpreh ajo.
“Vettingu është mundësia për ta kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe për ta zhvilluar vendin si brenda ashtu edhe jashtë. Prandaj, ju ftoj që të jemi të unifikuar për këtë reformë dhe të kontribuoni që këto amendamente kushtuese të kalojnë. Kjo është në fakt ajo që qytetarët presin nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë ministrja.