
Një laborator për përpunim drogash ishte zbuluar vitin e kaluar në Kryeqytet. Afër madje e kishte edhe një çerdhe fëmijësh. Aty po përpunohej heroina, një substancë që krijon varshmëri të rrezikshme. Një dosje e madhe tashmë është deponuar në Gjyq. Po akuzohet Hasan Xhemajli, ose i njohur si Viktor Bajçinca. Insajderi sjell detaje ekskluzive nga ky rast.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj Xhemajlit dhe Gashit për dyshimin se kanë kryer veprat penale të prodhimit dhe përpunimit të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, në lidhje me veprimtarinë kriminale të trafikut të narkotikëve që ka lidhje me Kosovën dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Gashi akuzohet edhe për një vepër tjetër penale.
Hetimin e këtij rasti e ka kryer Shefi i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Prishtinës, Bashkim Zeqaj.
Sipas aktakuzës të siguruar nga Gazeta Insajderi, hetimet kanë filluar pas informacioneve të marra nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, të cilët kanë vërejtur lidhje të mundshme të Xhemajlit me shitblerjen e narkotikëve përmes një rrjeti të organizuar, që shtriheshin në Kosovë dhe në shtetet e BE-së.
Pas marrjes së informacionit, prokurori i çështjes ka lëshuar urdhëresë për fillimin e hetimeve ndaj Xhemajlit me datën 14.02.2024, duke u bazuar në dyshimet për përfshirje në veprat penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.
Në vazhdim të hetimeve, më 26.08.2024, prokurori ka lëshuar një urdhëresë për përdorimin e masave të veçanta hetimore, përfshirë “shfrytëzimin e mjeteve për përcjelljen e vendndodhjes” dhe “monitorimin e fshehtë të bisedave në vende private” ndaj Xhemajlit.
Sipas prokurorisë, kjo ka ndihmuar në mbledhjen e më shumë provave për përfshirjen e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij në aktivitetet e paligjshme.
Më datën 22.09.2024, Prokuroria ka marrë kallëzimin penal për dy të dyshuarit Hasan Xhemajli dhe Kadri Gashi, të cilët dyshohen për prodhimin dhe përpunimin e narkotikëve, veçanërisht për ngjarjet që kanë ndodhur në një podrum në Prishtinë, ku janë gjetur substanca të dyshuara dhe pajisje që mund të përdoren për përpunimin e drogës.
Më tej, hetimet janë zgjeruar, dhe më 23.09.2024, aktvendimi është ndryshuar për të përfshirë edhe Kadri Gashin në këtë hetim, duke shtuar akuza për bashkëkryerje në prodhimin e narkotikëve dhe përdorimin e pajisjeve të paligjshme.
Akuza ndaj Xhemajlit e Gashit
Prokuroria po e akuzon Hasan Xhemajlit, për përpunimin dhe përgatitjen e substancave narkotike në një laborator të fshehur në afërsi të institucioneve edukative, në një zonë të njohur të qytetit.
Sipas aktakuzës, Xhemajli ka përdorur substanca si kafeinë, acetaminofen (paracetamol) dhe alkool, duke përpunuar ato për të krijuar një përzierje të rrezikshme të heroinës.
Më 21 shtator 2024, sipas hetimeve, Xhemajli së bashku me dëshmitarin bashkëpunues Kadri Gashi, udhëtuan me një automjet Volkswagen Caddy për të shkuar në një laborator të fshehur, të cilin e kishte ngritur në afërsi të Fakultetit Teknik të Prishtinës dhe shkollës “Ismail Qemajli”.
Gjatë këtij operacioni, Xhemajli hapi derën e laboratorit dhe filloi të nxjerrë pajisje dhe substanca që shfrytëzoheshin për përpunimin e narkotikëve.
Sipas aktakuzës, ai kishte për qëllim të fshehë dhe eliminojë provat, duke i futur ato në automjet dhe duke transportuar pajisje të ndryshme, përfshirë mikserin dhe bocën e gazit.
Pasi ata filluan të nxjerrin pajisjet, Policia e Kosovës ndërhyri dhe arrestoi Xhemajlin.
Gjatë kontrollit të laboratorit, policia gjeti dhe sekuestroi sasi të mëdha të substancave, që ishin përdorur nga të akuzuarit.
Disa nga këto substanca ishin në gjendje të lëngshme, dhe pas analizave laboratorike, u konstatua se një prej mostrave përmbante heroinë të përzier me acetaminofen dhe kafeinë.
“…dhe atë moment ndërhynë Policia ku me rastin e kontrollit gjejnë dhe sekuestrojnë 21.78 kg Kafeinë, 66.9 kg Acetaminofen (Paracetamol), 245 litra të ndara nga 5 litra me mbishkrimin Handdesinfectin Smittel Braun (Alkool , ku kjo sasi ishte në përpunim e sipër dhe e shtrirë në lokal në korita, në kavanoza të ndryshme, në plastmasë mbi dysheme, ku një pjesë ishte në gjendje të lëngshme dhe sipas ekspertizës laboratorike të Agjencisë Kosovare për Forenzik, ka rezultuar se dëshmia C#2 përmban Heroin në përzierje me Acetaminofen dhe Kafeinë në sasinë prej 16.56+-0,0001 gram, kurse preparatet tjera kane shërbyer si susbtanca me qellim te përpunimit dhe shtimit te sasisë se narkotikut te llojit heroinë“, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Insajderi.
Si rrjedhojë, Prokuroria ka nisur hetimet dhe përgatit aktakuzën ndaj tij për veprat penale të “prodhimit dhe përpunimit të paautorizuar të narkotikëve” dhe “shpërndarjes së substancave psikotrope”.
Ndërkohë, Kadri Gashi, i pandehur tjetër i lidhur me ngjarjen e përpunimit dhe shpërndarjes së narkotikëve nga Hasan Xhemajli, është arrestuar për moslajmërimin e një veprimi kriminal që ai ka njohur.
Sipas aktakuzës, Gashi, i cili ishte në dijeni për aktivitetin kriminal të Xhemajlit, nuk ka lajmëruar policinë për veprën penale që po kryhej në një laborator të fshehur në afërsi të institucioneve edukative në Prishtinë.
“Me datën 21.09.2024 ne ora 21:50, në Rr. “Major Mehemt Bushi” Objekti hyrja 21 në Prishtinë, me dijeni për identitetin e kryesit dhe të veprës penale nuk e lajmëron faktin e tillë, në atë mënyrë që me rastin e aplikimit të masave te veçanta të hetimit, është vërejtur se i pandehuri Kadri së bashku me të pandehurin Hasan Xhemajli kanë shkuar tek vendi i lartcekur, ku ky i fundit e hap derën dhe se bashku hyre brenda, nga aty kanë filluar t’i nxjerrin jashtë mjetet e punës – pajisjet e laboratorit të drogës, me c’rast i pandehuri Kadri edhe për faktin se e kupton se aty gjendet një laborator i narkotikëve dhe i pandehuri Hasan merret me përpunimin e substancave narkotike, prap se prap nuk largohet nga aty qe ta lajmëroj rastin në polici, por vazhdon të qëndroj se bashku me të pandehurin Hasan, ku në ato momente ndërhyn policia duke i kapur ne flagrance”, thuhet në aktakuzë.
Kadri Gashi, përveçse ishte i pranishëm gjatë procesit të kryerjes së veprës penale, akuzohet për veprën penale të “Moslajmërimit të veprave penale apo kryesve të tyre”, sipas nenit 378, paragrafi 1, pika 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Çka deklaruan të pandehurit?
Gjatë hetimeve, Hasan Xhemajli ka dhënë disa deklarata të cilat janë përdorur si prova.
Në një deklaratë të dhënë më 22.09.2024, Xhemajli ka pohuar se përdorte përzierje të paracetamolit dhe kafeinës për trajtimin e migrenës dhe sheqerit, por ai ka mohuar çdo akuzë lidhur me përdorimin ose prodhimin e narkotikëve.
Ai ka pretenduar se substancat e gjetura, përfshirë një lëng të dyshuar, ishin blerë në mënyrë të ligjshme dhe përdorej për eksperimente vetjake.
Ndërsa, Kadri Gashi, i cili është përfshirë në hetime për shkak të rolit të tij në ndihmën që i ka ofruar Xhemajlit për transportimin e pajisjeve nga një podrum, ka deklaruar se nuk kishte dijeni për veprimtarinë kriminale që po zhvillohej në atë ambient.
Gashi ka thënë se ai kishte ndihmuar Xhemajlin pa ditur për përmbajtjen e materialeve dhe pajisjeve që po transportoheshin.
Sidoqoftë, dëshmitari bashkëpunues, që ishte i pranishëm gjatë ngjarjeve, ka dëshmuar se sjellja e Xhemajlit ndryshoi menjëherë kur ata hyjnë në podrum.
Ai përshkroi Xhemajlin si të “çoroditur” dhe “në tension të madh” dhe po përpiqej të largonte pajisjet nga podrumi pa ofruar ndonjë shpjegim të qartë.
Dëshmitari ka thënë se në momentet kur ka vërejtur sjelljen e Xhemajlit, ai ka dyshuar menjëherë se aty kishte substanca narkotike dhe se Xhemajli ishte duke u munduar të fshihte ato.
Ekspertja Shyhrete Tahiri ka analizuar materialet e konfiskuara gjatë hetimeve.
Sipas ekspertizës së saj, vetëm një prej mostrave të gjetura përmbante heroinë të përzier me paracetamol dhe kafeinë, duke sugjeruar se substanca ishte e përpunuar për t’u shtuar masa e heroinës.
“Në deklaratën e saj, ekspertja përshkruan se ka pranuar provat e rastit me nr. 2024/3362 më datë 16.10.2024 dhe ka kryer procedurat standarde laboratorike, përfshirë evidentimin, fotografimin, peshimin, mostrimin dhe analizimin kimik dhe instrumental. Nga analizat e saj, ka konstatuar se vetëm një nga provat, e identifikuar si C2, përmban heroinë në përzierje me acetaminofen (“Paracetamol”) dhe kafeinë, ndërsa provat e tjera përmbajnë vetëm acetaminofen dhe kafeinë, pa asnjë substancë narkotike të rrezikshme, psikotrope apo prekursor”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Ajo ka theksuar se përdorimi i këtyre përzierjeve është një praktikë e zakonshme në tregun ilegal të narkotikëve për të rritur fitimet, dhe se përpunimi i substancave të tilla është një vepër e rëndë penale.
“Gjithashtu, ajo thekson se, bazuar në literaturë, çdo proces që përzien dy ose më shumë përbërës konsiderohet si përpunim. Në rastin konkret, prova C2 është e vetmja që përmban përzierjen e heroinës me acetaminofen dhe kafeinë, duke sugjeruar një proces përpunimi të substancave për shtimin e masës“.
Gazeta Insajderi ka publikuar një cikël artikujsh në lidhje për këtë rast:
/Insajderi