
Një polic është vrarë mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik. Rreshteri Muhamed Lika humbi jetën në kushte të pasqaruara, ndërkohë që i dyshuari për vrasjen është ende në arrati.
Për këtë ngjarje tronditëse ka reaguar edhe zv.ministri në detyrë i Mjedisit, Jeton Raka, shkruan Insajderi.
Ai ka shprehur keqardhjen për vrasjen e Lika dhe ka theksuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm, si ish-luftëtar i UÇK-së dhe zyrtar policor.
Në postimin e tij në Facebook, Raka shkruan: “Kaçaniku humbi një zyrtar policor, një ish-luftëtar të UÇK-së, që la pas një kontribut të jashtëzakonshëm për vendin. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe gjithë qytetarëve.”
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, e konfirmoi lajmin për Insajderin, duke shtuar se motivet e krimit ende nuk janë të qarta.
“Jemi duke punuar intensivisht, ende nuk ka diçka të re”, tha ai shkurt.