Oda Amerikane-Qeverisë pas taksës së Trump: Hiqni tarifat doganore për mallrat amerikane - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Oda Amerikane-Qeverisë pas taksës së Trump: Hiqni tarifat doganore për mallrat amerikane

    Insajderi
    03 April 2025 - 13:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Oda Amerikane në Kosovë ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të shqyrtojë heqjen në tërësi të tarifave doganore për produktet amerikane.

    Në një komunikatë të lëshuar për media, OAK thotë se heqja e kësaj tarife do të përfaqësonte të hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të marrëdhënieve tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Derisa Kosova, për disa vite ka përfituar nga trajtimi pa doganë i më shumë se 3,500 produkteve në kuadër të Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave të SHBA-së (GSP), mallrat amerikane të eksportuara në Kosovë kanë vazhduar të jenë subjekt i taksave doganore” thuhet në komunikatë.

    Kjo kërkesë e tyre vjen në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur të shpallë tarifa reciproke ndaj të gjitha vendeve. Këtu përfshihet edhe Kosova, së cilës iu është vendosur tarifë prej 10 për qind të mallrave që importohen në SHBA.

    Komunikata e plotë:

    Në dritën e vendimit të fundit të administratës amerikane për prezantimin e një strukture të re tarifore për mallrat e importuara, e cila afekton edhe Kosovën, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se ky është momenti i duhur që Kosova të shqyrtojë zbatimin e një aranzhimi të njëanshëm preferencial tregtar për Shtetet e Bashkuara, duke hequr në tërësi tarifat doganore për mallrat e importuara nga ky vend.

    Derisa Kosova, për disa vite ka përfituar nga trajtimi pa doganë i më shumë se 3,500 produkteve në kuadër të Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave të SHBA-së (GSP), mallrat amerikane të eksportuara në Kosovë kanë vazhduar të jenë subjekt i taksave doganore. Heqja e kësaj tarife do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm dhe proaktiv drejt zgjerimit të marrëdhënieve tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat mbeten partneri më i afërt strategjik dhe ekonomik i Kosovës.

    Kjo masë do të shërbente si një demonstrim i qartë i gatishmërisë së Kosovës për të thelluar lidhjet ekonomike dypalëshe dhe përkushtimin e saj ndaj vlerave të përbashkëta të tregtisë së lirë dhe të drejtë. Ajo gjithashtu do të ndihmonte në pozicionimin e favorshëm të Kosovës në përpjekjet e ardhshme për të ndjekur një marrëveshje formale të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara.

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë inkurajon Qeverinë e Kosovës që të veprojë me vendosmëri në këtë drejtim dhe rikonfirmon gatishmërinë e saj për të mbështetur përpjekjet institucionale që synojnë rritjen e bashkëpunimit ekonomik, tërheqjen e investimeve amerikane dhe krijimin e qasjes më të madhe në treg për bizneset kosovare dhe amerikane. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark