
Avdi Azemi është përzgjedhur si kandidati më i suksesshëm për pozitën zv.drejtor në një shkollë në Lipjan. Megjithatë, punësimi i tij ka ngritur dyshime për konflikt interesi. Kjo pasi që e shpreh hapur mbështetjen e tij për kryetarin Imri Ahmeti e LDK-në në Lipjan. Insajderi ka kontaktuar me Avdi Azemin por ka refuzuar të përgjigjej. Insajderi ju sjell detaje!
Gazeta Insajderi
Komuna e Lipjanit, përkatësisht Drejtorati për Arsim, me 24 janar kishte hapur konkurs për pozitën e punës “Zv.drejtor në SHFMU Vëllezërit Frashëri”, në Lipjan.
Avdi Azemi është përzgjedhur për këtë pozitë.
Azemi në testin me shkrim, mori 80 pikë. 3.5 pikë arriti me portofolio. Dhe në intervistë me gojë arriti 85.66 pikë.
Kështu Azemi doli i pari në këtë pozitë, duke arritur gjithsej 84.58 pikë.
Në njoftim thuhet se aplikuesit e pakënaqur me vendimin për përzgjedhje, mund të ushtrojnë ankesë në afat prej tetë ditësh nga pranimi i vendimit.
Kandidati i përzgjedhur, Avdi Azemi, ka një histori të dukshme mbështetjeje për pushtetin e Imri Ahmetit.
Këtë e dëshmojnë edhe rrjetet e tij sociale. Sipas profilit në Facebook, Azemi shihet se e tregon hapur e shpesh përkrahjen ndaj Imri Ahmetit e LDK’së.
Postimet e kryetarit të Lipjanit e të partisë së tij, Azemi i shpërndanë, pothuajse gjithë kohës.
Disa prej tyre ua shfaqim më poshtë:
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje te kandidati i përzgjedhur në këtë pozitë, Avdi Azemi, se a ka pas ndonjë konflikt interesi në punësimin e tij, mirëpo, ai ka refuzuar të përgjigjet.
“Ju sugjeroj që për informacione të tilla të drejtoheni në zyrat e Drejtorisë Komunale të Arsimit. Respekt”, tha shkurt Azemi për Insajderin.
Insajderi ka kontaktuar edhe me komunën e Lipjanit, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Rreth kësaj, ka reaguar edhe shef i Grupit Parlamentar të opozitës, Arsim Jashari.
Ai ka shkruar se arsimi po vazhdon të jetë i politizuar në Lipjan.
“Mirëmëngjesi politik e fëlliqur! Procesi i përzgjedhjes në institucionet arsimore vazhdon të jetë i politizuar, duke favorizuar ata që mbështesin aktivisht kryetarin Ahmeti.
Rasti konkret e tregon qartë këtë fenomen, ku kandidati i përzgjedhur ka një histori të dukshme mbështetjeje për të në rrjetet sociale. Kjo situatë dëmton parimin e paanshmërisë dhe meritokracisë, duke ngulfatur zhvillimin e arsimit dhe duke dekurajuar profesionistët e vërtetë”, ka shkruar Jashari nga PDK’ja.
Gazeta Insajderi ka raportuar edhe më herët lidhur me punësimet partiake e familjare në komunën e Lipjanit./Insajderi.org/