
Sot, në parkingun e administratës së QKUK-së, ka shpërthyer vetura private e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, në rrethana ende të panjohura, raporton Insajderi.
Hajdari, para mediave, ka deklaruar se nuk ka asnjë obligim ndaj askujt.
“Nuk kam kurrfarë obligimi ndaj askujt, kam ardhur në punë si çdo ditë. Për çdo gjë referojuni komunikatës, sepse çdo gjë që them mos po i prishi hetimet”, tha ai.
Pas incidentit, njësiti antibombë i Policisë së Kosovës ka shkuar në oborrin e QKUK-së për të hetuar rastin.
Ky nuk është rasti i vetëm i ngjashëm që ka ndodhur në parkingun e QKUK’së. Në vitin 2022, edhe drejtorit të Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija, i ishin djegur dy vetura në të njëjtin vend.
Në rastin e dytë, vetura u dogj në kohën kur Vitija ishte duke raportuar në mbledhjen e Bordit Drejtues të ShSKUK-së. Vetura e markës ‘Mercedes’ ishte djegur pothuajse tërësisht, në të njëjtin vend ku ishte djegur edhe më herët një veturë tjetër e markës ‘Audi’, më 19 gusht 2022.
Më 8 gusht 2023, Musa Vitija ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Auditimit të Brendshëm në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar. Ai nuk ishte kthyer nga pushimi pa pagesë dhe kishte njoftuar zyrtarisht SHSKUK-në për dorëheqjen e tij, duke theksuar se nuk ndihej i sigurt.
Vitija ishte ankuar se SHSKUK nuk i kishte ofruar asnjë masë sigurie pas djegies së dy veturave të tij gjatë vitit të kaluar.
Pas incidentit të dytë, në ambientet e SHSKUK-së kishte shkuar edhe Kryeministri Albin Kurti. Ai e kishte lavdëruar Vitijën për raportet e auditimit që ai kishte hartuar, të cilat kishin rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve të IT-së në QKUK.
Në atë kohë, Kurti kishte akuzuar dy kompani të kontraktuara nga QKUK për dështime në përmbushjen e përgjegjësive të tyre
“Dy kompanitë, ‘Security Code’, përgjegjëse për sigurimin fizik, dhe ‘Quantic’, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave, kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre. E para, sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofrojë sigurinë e veturës së z. Vitija, kurse tjetra, edhe pas dy jave, nuk ka arritur t’i rikthejë në funksion kamerat e sigurisë, të cilat janë dëmtuar nga ‘vetëtima’”, kishte deklaruar Kurti.